Kosova, në ballinën e FIFA-s: “Dardanët” thyejnë rekord

Faqja zyrtare e FIFA-s e ka lavdëruar Kombëtaren e Kosovës për paraqitjet e guximshme në kualifikimet për EURO 2020, duke e vendosur fotografinë e “Dardanëve” në ballinën e ranglistës së re. Kosova ka vazhduar të shënojë ngritje në renditjen botërore të FIFA-s, pasi tani pozicionohet një vend më lart, në vendin e 119-të.

Kjo nënkupton se Kombëtarja verdhekaltër e ka regjistruar ngritjen më të lartë në historinë të saj në renditjen botërore të organit qeverisës së futbollit botëror, që prej pranimit në UEFA dhe FIFA më 2016. “Ndërkohë, Kosova (në pozitën e 119-të, plus një pikë) është shpërblyer për paraqitjet e guximshme në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2020, duke e arritur pozitën më të lartë në histori të saj”, shkruhet në faqen e FIFA-s.

Kosova tani grumbullon 1164 pikë, 15 pikë më shumë seç kishte deri tani, falë fitores së rëndësishme në kualifikime për Euro 2020 kundër Republikës së Çekisë (2-1) në fillim të këtij muaji në Prishtinë. “Dardanët”, që ndodheshin në pozitën e 120-të para publikimit të renditjes së fundit, tani lënë prapa Namibinë, Angolën dhe Zelandën e Re.

Kosova e humbi ndeshjen tjetër kualifikuese të muajit shtator kundër lideres së Grupit A, Anglisë, (5-3) në udhëtim. Muajin e ardhshëm, Kosova do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje të tjera në shtëpi, një miqësore kundër Gjibraltarit dhe një ndeshje kualifikuese për Euro 2020 kundër Malit të Zi.

Nëse arrin rezultate pozitive nga këto dy takime, atëherë Kosova do të shënojë ngritje edhe më të lartë në renditjen e FIFA-s.