Shkup, 12 prill – Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll gjendet në pozitën e 77-të në renditjen më të re të FIFA. Një rënie prej dy pozitave në krahasim me renditjen e muajit mars. Verdhekuqtë tani kanë 422 pikë, pasi në muajin mars dy herë luajtën baras në mini-turnirin në Antali të Turqisë.
Kombëtarja e Shqipërisë është ngjitur për dy vende në renditjen mujore të FIFA-s. Tashmë kuqezinjtë janë në vendin e 56-të, por jo për meritën e tyre, sepse ata nuk kanë pasur rritje në pikë, por kanë përfituar nga zbritja e theksuar e Bolivisë, por edhe Japonisë.
Ndërkohë, ditë e shënuar për përfaqësuesen e Kosovës, sepse dy fitoret në miqësore kundër Burkina Fasos dhe Madagaskarit kanë vlejtur një rritje të jashtëzakonshme, plot 24 vende, duke kaluar nga vendi i 176-të në atë të 152-të, një rekord.
Ndërkaq, Gjermania mbetet e para dhe Brazili i dyti, por duke humbur pikë, ndërsa Belgjika kalon e treta, duke lënë pas Portugalinë e Argjentinën. Spanja zbret e teta në botë, duke u kaluar nga Zvicra dhe Franca. Vijon pikiata e Italisë, tashmë e 20-ta në botë, 6 vende më pak se muaji i shkuar. Tunizia është e 14-të tashmë, me 9 vende më shumë se muaji i shkuar.