Kosova do t’ju hyjë ndeshjeve të shtator me disa mungesa të rëndësishme, përfshirë këtu Hekuran Kryeziun, Arbër Zenelin dhe me gjasë edhe Valon Berishën. Mirëpo, trajneri Bernard Challandes, në një bisedë me “Gazetën Express” e ka treguar “Planin B” të tij për t’iu kundërvënë Republikës Çeke dhe Anglisë në ndeshjet kualifikuese për Euro 2020
Muaji shtator po afron dhe në mendjen e trajnerit Bernard Challandes po sillen ide të ndryshme se si t’iu kundërvihet dy kundërshtarëve të ardhshëm të kualifikimeve për Euro 2020, Republikës Çeke dhe Anglisë, shkruan Gazeta Express.
“Dardanët” do t’ju hyjnë ndeshjeve të 7 dhe 10 shtatorit me mungesa të mëdha.
Verdhekaltrit nuk do të mundë të llogarisin në të lënduarit rëndë, Hekuran Kryeziu dhe Arbër Zeneli, por me gjasë në dispozicion nuk do të jetë as Valon Berisha, i cili po përballet me lëndime të kohëpaskohshme, ndërsa shpresohet që Herolind Shala të jetë në 100 për qindëshin e tij pas lëndimit të fundit që e kishte pësuar, i cili e kishte lënë jashtë ndeshjeve të qershorit.
Sidoqoftë, trajneri i Kosovës thotë se ka në dispozicion mjaft lojtarë cilësorë, të cilët mund t’i mbulojnë mungesat.
Gjithashtu, nuk e ka përjashtuar mundësinë që në shtator të ketë edhe ndonjë prurje.
“Ne duhet ta shohim tash, pa Zenelin, pa Kryeziun, pa Valon Berishën, duhet të gjejmë zgjidhje në mesfushë. Do ta shohim se kush është në formë dhe më pas të vendosim”, ka thënë fillimisht Challandes në një bisedë me “Gazetën Express”.