Shteti i Kosovës është fryt i një embrioni të përbashkët që u ngjiz në aspiratën shekullore për liri e pavarësi dhe në dioptrinë e qartë të vëmendjes ndërkombëtare për ta shndërruar diplomacinë e fjalëve në aksion konkret ushtarak
Nga Emin AZEMI
Para 12 viteve, Kosova e hodhi themelet e shtetësisë dhe në këtë përvjetor ajo ka arsye të mburret, por edhe të skuqet për objektivat e papërmbushura. Ajo çka e bën të mburret këtë brez dhe bashkë me të gjithë ata që kontribuuan në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, është bilanci i suksesshëm i një rrugëtimi të gjatë e të mundimshëm, që u kurorëzua me shtetin e pavarur. Ka plot popuj në botë që kanë luftuar për liri, por nuk kanë arritur të kenë shtet. Ndër ta janë edhe kurdët. Pra, jo gjithmonë lufta për liri, përfundon në shtetbërje.
Në rastin e Kosovës, përpjekjet shekullore të shqiptarëve që të jetojnë në një shtet të lire e të pavarur, kanë patur rënie dhe ngritjet e tyre. Asnjëherë një fitore nuk është e plotë nëse nuk ndodhë në kontekstin e duhur kohor dhe rrethanor. Kosova në të kaluarën, sidomos pas pavarësisë së Shqipërisë (1012) iu ofruar disa herë kufirit që e ndante atë nga robëria. Mirëpo në asnjë rast nuk ishin rrethanat gjeopolitike, ushtarake e diplomatike në favor të saj. Kjo ishte edhe arsyeja se pse Pavarësia e Kosovës si shtet ndodhi pikërisht më 17 shkurt 2008 e nuk ndodhi më herët.
Lufta heroike e UÇK-së dhe aksioni ushtarak i NATO-s sollën shtetin e Kosovës dhe me kalimin e kohës ka plot mendime e qasje në opinionin publik që duan të favorizojnë njërin faktor kundrejt tjetrit. Në fakt nuk ka vend për kurrfarë favorizimi dhe relativizimi, sepse as suksesi ushtarak i NATO-s nuk do të ishte i plotë pa veprimin në terren të UÇK-së, por as suksesi i kësaj të fundit nuk do të ishte i mundur pa ndihmën kolosale të aviacionit dhe këmbësorisë së NATO-s.
Shteti i Kosovës është fryt i një embrioni të përbashkët që u ngjiz në aspiratën shekullore për liri e pavarësi dhe në dioptrinë e qartë të vëmendjes ndërkombëtare për ta shndërruar diplomacinë e fjalëve në aksion konkret ushtarak.
Në anën tjetër, përderisa Serbia nuk e trajton veten ende si pjesë e frymës europiane, me sjellje arbitrare ndaj Kosovës, çuditërisht është Brukseli ai që brengoset më shumë se Beogradi për këtë. Se Serbia nuk e trajton ende BE-në aleat besnik, flet edhe fakti se krerët politikë të Beogradit sa here që takohen me zyrtarët e lartë të Brukselit dhe Uashingtonit, vrapojnë të takohen edh me zyrtarët ruse.
Serbia le të mos e pranojë pavarësinë e shtetit të Kosovës, por Kosova nga ana e saj nuk guxon të sillet sikur nuk është shtet. Institucionet ligjzbatuese të Kosovës punojnë sipas një Kushtetute që i detyron ato të sillen njësoj ndaj të gjithë partnerëve ekonomikë e tregtarë, qofshin ata brenda, apo jashtë territorit të vendit. Kosova nuk mundet të sillet si shtet ndaj të gjithëve, por vetëm ndaj Serbisë të sillet si një xhuxh mjeran. Dhe kjo vije në shprehje pikërisht tani kur është paralajmëruar masa e reciprocitetit që do të vendoset pasi të hiqet taksa 100%.
Shteti i Kosovës përkundër përpjekjeve për ta paraqitur kauzën e saj të vështirë në betejat diplomatike me Serbinë, duhet të vazhdojë të zhvillohet bashkë me ata që edhe e nisi këtë rrugëtim të shtetndërtimit. Dhe ky rrugëtimi nuk mund të bëhet pa SHBA-të, prandaj çdo shmangie nga ky përcaktim strategjik mund të jetë fatal për të ardhmen e saj. (koha.mk)