Një marrëveshje e pritshme mes Kosovës dhe Serbisë të enjten do të jetë në agjendën e diskutimeve të shefave të shteteve të Bashkimit Evropian dhe ligjvënësve të Parlamentit Evropian, kurse sot do të këtë edhe bisedime për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Rezidencën e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Në samitin e qeverive të BE-së apo në mbledhjen e Këshillit Evropian që përfaqëson nivelin më të lartë të bashkëpunimit politik midis shteteve anëtare që do të zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel, pritet të miratohen konkluzat, ku do t’i jepet mbështetje propozimin evropian apo të njohur gjerësisht si franko-gjerman me të cilin synohet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në draftin e konkluzave – mesazhet kryesore që vijnë si rezultat i diskutimeve – në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje, kërkohet që në tërësi dhe pa kushte të implementohen obligimet që derivojnë nga marrëveshjet e arritura në Bruksel në vitin 2013 dhe 2015, përfshirë edhe atë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Tutje, në draftin e konkluzave, ku edhe përcaktohet drejtimi i përgjithshëm politik dhe prioritetet e BE-së, thuhet se Këshilli Evropian “në dritën e zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, nënvizon nevojën urgjente për progres në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, të udhëhequr nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së [Josep Borrell]”.
“Këshilli i BE-së mirëpret propozimin evropian për të vendosur raportet mes dy palëve në një bazë të re dhe të qëndrueshme si një rast historik, i cili duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët me qëllim të realizimit të perspektivës së tyre evropiane”, thuhet në propozimin e tekstit të konkluzave që pritet të miratohet të enjten.
Ndërkaq, Komisioni për Punë të Jashtme në kuadër të Parlamentit Evropian do të diskutojë sot për raportet e Komisionit Evropian për Kosovën dhe Serbinë për vitin 2022, të përpiluara nga Viola Von Cramon dhe Vladimir Bilçik, ku mestjerash do të ritheksojnë mbështetjen e tyre të plotë për Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Komisioni Evropian pritet t’i bëjë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve në përputhje me të drejtën ndërkombëtare e në bazë të propozimit franko-gjerman.
Raportet për të dyja vendet dënojnë të gjitha veprimet që kërcënojnë stabilitetin dhe vënë në pikëpyetje procesin e pajtimit, shprehin shqetësimin serioz për tensionet në veri të Kosovës dhe të shtënat në ditën e Krishtlindjeve dhe kujtojnë përgjegjësinë e përbashkët për paqen dhe sundimin e ligjit për të gjithë njerëzit në Kosovë.
Gjithashtu, Prishtina dhe Beogradi, do të ftohen të zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësur nga BE-ja në Bruksel, “përfshirë themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe”.
Për këtë arsye, Ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Jeff Hovenier, të enjten do t’i mbledh për herë të dytë përfaqësuesit e institucioneve, partive politike dhe të shoqërisë civile për të diskutuar lidhur me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ambasada Amerikane zyrtarisht nuk ka njoftuar për këtë takim të dytë, por siç i kanë thënë Albanian Post-it disa nga të ftuarit, besohet se për dallim nga takimi i parë, çështja e Asociacionit të Komunave me shumucë serbe do të diskutohet në Rezidencën e Ambasadorit Hovenier.
Në atë takim të parë, zhvilluar në objektin e ambasadës, morën pjesë institucionet, partitë politike dhe akterë nga shoqëria civile, përfshirë dy përfaqësues të Qeverisë së Kosovës nga radhët e komuniteteve pakicë ndërsa të njëjtit pritet të jenë të pranishëm edhe në takimin e radhës.
SHBA-të dhe BE-ja po kërkojnë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe duke u thirrur në Marrëveshjen e vitit 2013 të arritur në Bruksel e të ratifikuar në Kuvendin e Kosovës – Marrëveshja e Parë që ka ende fuqinë ligjore të një marrëveshje ndërkombetare.
Presioni evropiano-amerikan për funksionalizimin e një mekanizimi të tillë që bazën fillestare e ka te propozimi i presidentit Marti Ahtisaari, përmes të cilit erdhi edhe deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës, po shkon duke u rritur në një kohë kur dialogu ka hyrë në 100 metershin e fundit.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili deri më tani ka kundërshtuar dhe sfiduar fuqishëm krijimin e Asociacionit, të enjten e 2 shkurtit shpalosi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjashtë kushtet për formimin e kësaj steukture të rë për serbët e Kosovës.
Kurti tha se ky mekanizëm nuk mund të jetë njëetnik, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, të riemërohet dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive dhe të ketë të përfshirë parimin e reciprocitetit mes shteteve sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare.
Kurse sa i pērket propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ndonëse i njëjti u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës së vitit të kaluar, përmbajtja e tij nuk është bërë akoma publike.
Ky propozim, të cilin e pati publikur ekskluzivisht Albanian Post, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe garanci shtesë për komunitetin serb në Kosovë.
Në dokument nuk përmendet ekskluzivisht njohja e ndërsjellë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.
Por, Kosova dhe Serbia kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket përfundimit të procesit. Përderisa Prishtina kërkon që një marrëveshje finale të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.(Albanianpost)