Përfaqësuesja e Kosovës në futboll sonte e vazhdon rrugën e saj në Ligën e Kombeve, raporton Insporti.com. Futbollistët e trajnerit Bernard Challandes, do të takohet me Ishujt Faroe në Torshavn në kuadër të ndeshjes së katër të Grupit 3 të Divizionit D. Sfida në fjalë zhvillohet nga ora 18:00. Kosova në tri takimet e para ka arkëtuar shtatë pikë për t’u ‘stacionuar’ në vendin e parë në grup dhe me një fitore eventuale ose një barazim, i shton në maksimum gjasat për të përfunduar në vendin e parë.
Futbollisti Herolind Shala në fillim ka thënë se fusha sintetike nuk paraqet ndonjë vështirësi për ta pasi që shumë prej tyre kanë luajtur në bari artificial, bën të ditur FFK. “Nuk do të ndjejmë presionin, sepse ne do ta zhvillojmë lojën tonë dhe duhet të angazhohemi që të fitojmë pikët e plota për ta ruajtur kryesimin”, është shprehur Shala.
Kosova gjatë historisë së saj, është takuar dy herë me Ishujt Faroe. Në muajin shtator, ‘Dardanët’ fituan në Prishtinë me rezultat 2:0 me golat e Arbër Zeneli dhe Atdhe Nuhiut. Ndryshe, Kosova me Ishujt Faroe kishte zhvilluar më herët një ndeshje miqësore, në vitin 2016 dhe kishte shënuar fitore 2:0. Atëbotë golat për Kosovën i kishin shënuar Albert Bunjaku dhe Elbasan Rashani, kurse takimi i ishte zhvilluar në Gjermani. Kjo ndeshje ishte zhvilluar në Frankfurt të Gjermanisë.