Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dëshmuar se janë prijëse të lirisë dhe demokracisë në botë dhe se këtë më së miri e bënë duke mbrojtur Kosovën në kohë të vështira.
Këtu, sipas Haradinajt, rol të pazëvendësueshëm për të mbajtur gjallë temën e Kosovës në agjendën amerikane kishin senatorët nga ky vend. Haradinaj këto deklarata i tha pas takimit me kryetarin e Komitetit për Shërbime të Armatosura në Senatin Amerikan, Senatorin James Inhofe.
Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, arsimi, shëndetësia, siguria, ishin temat që u biseduan nga Haradinaj dhe Inhofe.
Në takim Haradinaj ka kërkuar mbështetjen e mëtutjeshme e SHBA-së që Kosova të jetë anëtare e Bashkimit Evropian, Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s.
“Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar Senatorin Inhofe për të arriturat e Kosovës në të gjitha fushat, në të njëjtën kohë ka kërkuar mbështetjen për procesin e tranzicionit të FSK-së në Forca të Armatosura, si një forcë profesionale e cila do të jetë në shërbim të forcimit të sigurisë dhe të paqes në botë. Kryeministri Haradinaj, ka theksuar se partneriteti me ShBA-të është orientim i Qeverisë së Kosovës dhe në këtë drejtim, të dyja vendet duhet të fuqizojnë bashkëpunimin politik dhe ekonomik. Senatori James Inhofe, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë përkrahëse e fuqishme e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike dhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, thuhet në fund të njoftimit.