Bujar KURTAJ
Shkup, 30 nëntor – Hamza Jashari para dhjetë ditësh hyri në histori, duke u bërë xhudisisti i par i cili ia ka sjell Maqedonisë medaljen e parë të arit pas nëntë viteve ekzistencë në Kupën Evropiane, e cila u mbajt në Gyor të Hungarisë. Jo vetëm për xhudon e Maqedonisë, por edhe për Hamzan kjo ishte medalja e parë e arit prej vitit 2012 kur zyrtarisht filloi të merr pjesë në gara.
Për gazetën KOHA, Hamza edhe një herë rrëfen rrugëtimin e tij deri te ky sukses i madh si dhe tregon për hapat e parë në sportin e xhudos, sukseset e tij të deritanishme dhe synimet e tija në vitin 2018.
“Rruga deri te ky sukses aspak nuk ka qenë e lehtë. Gjithsejtë kisha pesë lufta, ndërsa më rëndë e pata në xhiron e tretë kundër hungarezit të cilin e munda me 1 vazar. Një sukses i cili hyri në historinë e xhudos së Maqedonisë, ndërsa për mua është edhe me vlerë duke marr parasysh se këtë sukses Maqedonia ia solli një shqiptar. Më duhet të pranoj se një sukses të tillë e kam pritur, pasi një gjë të tillë isha afër ta bëj në Slloveni në Kupën Evropiane, kur humba në luftën për medaljen e bronztë. Jam i kënaqur shumë me këtë sukses, por më së tepërmi për familjen time, pasi ata më kanë përkrahur më së shumti drejt këtij suksesi”, shprehet në fillim 16-vjeçari nga Nerezi i Shkupit. Ndryshe kur jemi te ky sukses, vlen të përmendim se i njëjti nuk u la pa u përmend edhe nga faqja zyrtare e Xhudos Evropiane, ku Maqedonia u gjend për herë të parë.
Hapave të babait
Ndryshe, Hamza me xhudo ka filluar të merret prej moshës 9-10 vjeçare te klubi “Ipon” nën udhëheqjen e trajnerit Mustafa Fetahu. “Me xhudo kam filluar të merrem prej moshës 9-10 vjeçare te klubi ‘Ipon’ nën udhëheqjen e trajnerit Mustafa Fetahu. Arsyet se pse jam marr me xhudo ka qenë babai, i cili gjithashtu në të kaluarën është marr me këtë sport derisa për trajner ka pasur gjithashtu Mustafa Fetahun. Ishte dëshira e babait që unë të ndjek hapat e tij, dhe kuptohet unë këtë dëshira ia plotësova”, shtoi më tej Jashari.
Kampionati shtetëror, gara e parë zyrtare
Me fillimet e para me sportin e xhudos, Hamza filloi të merr pjesë edhe në disa turnirë në Maqedoni, ndërsa në një garë zyrtare ka marr pjesë në Kampionatin shtetëror në vitin 2012 ku edhe është shpallur kampion i Maqedonisë. “Në vitin 2012 për herë të parë kam marr pjesë në një garë zyrtare kur u shpalla kampion shtetëror për pionier të rinj. Që prej atëherë e deri më 2017 unë jam kampion i pakontestueshëm i Maqedonisë. Sa u përket turnirëve jashtë Maqedonisë, kam marr pjesë në Serbi, Bullgari, Kosovë, Shqipëri, Slloveni, Gjermani. Derisa, do të kisha dalluar Kampionatin Ballkanik në Serbi, kur e zura vendin e tretë dhe në Slloveni (2017) kur humba në luftën për medaljen e bronztë. Gjithashtu do të kisha veçuar edhe Kampionatin Evropian në Lituani në vitin 2017, ku humba në luftën për medaljen e bronztë nga garuesi rus”, vazhdon rrëfimin e tij shpresa e xhudos së Maqedonisë.
Mundës i KM “Liria” në vitin 2016
Është interesante të përmendet se Hamza në vitin 2016 ka qenë mundës i KM “Liria” nga Shkupi. “Për shkak se përgatitjet fizike në klub ishin të dobëta, u detyrova të merrem me mundje edhe atë te klubi më i suksesshëm shqiptar ‘Liria’. Aty qëndrova një vit dhe gjatë kësaj periudhe kam marr pjesë edhe në gara të ndryshme, si kampionatin shtetëror për pionier (vendi i tretë) dhe disa turnirë tjera. Realisht qëllimi im ishte që të stërvitem në aspektin fizik se sa të marr pjesë në gara. Megjithatë u jam falënderues kryesisë së klubit, trajnerëve dhe mundësve për hapësirën që ma dhanë për tu stërvitur. Ata asnjëherë nuk më kanë ndarë nga mundësit tjerë edhe pse e dinin se sporti i xhudos për mua ishte në rend të parë. Përsëris u jam falënderues për këtë, ndërsa edhe ata janë pjesë e suksesit që e arrita në Gyor të Hungarisë. Me ndihmë të Federatës, unë dhe xhudistët tjerë stërvitemi me mjeshtrin e xhudos nga Rumania, Gabriel Sapta, i cili është edhe trajner i përfaqësueses së Maqedonisë”, tregon xhudisti shqiptar”, i cili ka 3 vite që është pjesë e skuadrës së “Mioki” nga Shkupi.
Ndihmë nga askush, për gara paguan nga 500 euro
Ndryshe, Hamza bën të ditur se në përjashtim të pjesëmarrjes në Kupën Evropiane në Gyor të Hungarisë, deri më tani në gara ka marr pjesë me vetëfinancim. “Klubi ‘Mioki’ nuk ka kushte që të mi mbulojë harxhimet për pjesëmarrje në gara, kështu që kam qenë i detyruar që harxhimet ku kam marr pjesë në gara ti mbuloj vetë. Turnirët nuk janë të shtrenjta, por Kupat kushtojnë. Shembull një pjesëmarrje atje kushton 500 euro. Nuk mund të mos e përmend përkrahjen e madhe që e kam pasur nga ish-kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti. Ai është njeriu i cili më ka ndihmuar më së shumti deri më tani dhe për këtë e falënderoj shumë”, bën të ditur Jashari. Në fund 16-vjeçari Hamza Jashari pret që pas këtij suksesi të ndryshojnë gjërat, ndërsa ka marr premtime se do të ndihmohet nga Komiteti Olimpik i Maqedonisë dhe është në pritje të realizimit të premtimeve që ka marr nga ata. Derisa, në vitin 2018 ai pret që të merr pjesë në Kampionatet Botërore dhe Evropiane ky synon të arrij sukses.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.