Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) përfundimisht ka vendosur që Përfaqësuesen ta drejtojë një trajner i huaj. Dhe ky trajner deri para pak ditësh kërkohej në Maqedoni, por pasi Kosova ra në një grup me Maqedoninë në parakualifikimet e Botërorit “Kina 2019”, ky opsion ra. I pari në listë ishte Marin Dokuzovski, ish-trajneri i Sigal Prishtinës, shkruan “ Koha Ditore”. “Në opsion ishin dhe mbeten trajnerët e huaj nga rajoni, por tashmë kanë rënë ata nga Maqedonia për shkak se Kosova bën pjesë në të njëjtin grup me këtë shtet. Dokuzovski ka qenë favoriti kryesor për ta marrë ekipin e Kosovës, por tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe fokusi është larguar nga trajnerët e Maqedonisë”, ka thënë një burim i afërt me FBK-në në kushte anonimiteti. Zyrtarë të FBK-së nuk pohojnë e as mohojnë këtë. E gjitha që thonë është se do të marrin trajner të huaj.