Kosova gati u përjashtua nga garat ndërkombëtare!

4

Kosova për pak i ka shpëtuar më të keqes – përjashtimit nga të gjitha garat ndërkombëtare sportive. Këtë e ka zbuluar ekskluzivisht për Gazetën Express Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK). Institucioni më i lartë sportiv në vend tregon se ky rrezik iu kishte kanosur sportit kosovar si rezultat i mospërfilljes së kontrollit dhe luftës Anti-Doping. Ky rrezik nuk kalon pa u themeluar Agjencia Kosovare për Anti-Doping.

Kosova ende nuk e ka Agjencinë Kosovare për Anti-Doping as pas gjashtë vjetësh prejse është anëtarësuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar apo katër vjet pas inkuadrimit të sportit më të popullarizuar, futbollit, në UEFA dhe FIFA.

Dhe për këtë Kosova ishte në rrezik për ta paguar një çmim të shtrenjtë – të suspendohet me përjashtim nga të gjitha garat sportive ndërkombëtare. Këtë e ka zbuluar ekskluzivisht për Gazetën Express , transmeton gazeta Koha, Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) – institucioni më i lartë sportiv në vend – i cili është përballur me një presion dhe rrezik të madh ndërkombëtar.

Krejt kjo kishte ardhur si rezultat i faktit që Kosova nuk e ka përfillur luftën anti-doping, ndaj të cilit fenomen janë shumë të përkushtuara të gjitha shtetet tjera anëtare të organizatave ndërkombëtare të sportit.

Sipas KOK-ut, Ligji për Sport i shtetit tonë e obligon Qeverinë e Kosovës që ta themelojë Agjencinë Kosovare për Anti-Doping me propozim të Ministrisë së Sportit. Agjenci të tilla kanë themeluar shtetet tjera dhe të gjitha ato janë tashmë anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare për Anti-Doping (WADA), ku Kosova ende nuk është anëtarësuar si rezultat i mos-themelimit të kësaj agjencie në vendin tonë. Mos-themelimin e kësaj agjencie nga institucionet tona shtetërore është arsyetuar me “mungesë të pajisjeve apo aparaturës mjekësore dhe mungesës së kuadrave profesionale”.

Kështu, WADA për pak e ka futur Kosovën në listën e zezë të saj. Dhe kjo pastaj do t’i kushtonte Kosovës me pezullim nga arena ndërkombëtare.

“Kosova ka rrezikuar të hynte në listën e zezë për mospranimin e rregullave te WADA-s, si dhe përjashtimin nga pjesëmarrja në të gjitha garat ndërkombëtare, sikur KOK të mos pranonte që përkohësisht të merrte këtë përgjegjësi mbi vete”, ka deklaruar për Gazetën Express sekretari gjeneral i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj.

Ai theksoi se Kosova i ka shpëtuar më të keqes pasi KOK-u gjeti mirëkuptim të “përkohshëm” nga WDA duke e marrë vet përgjegjësinë për Anti-Doping derisa të Qeveria ta themelojë Agjencinë Kosovare për “Anti-Doping”.

“Rëndësia e kësaj Agjencie Kombëtarë për Antidoping është shumë e madhe tek çdo shtet, ngase e gjithë përgjegjësia për promovimin, koordinimin dhe monitorimin e programit të kontrollit të dopingut në sportin e një vendi mbetet tek kjo Agjenci. Më tutje KOK në rolin e Agjencisë Kombëtarë për Antidoping do të merret me zbatimin e rregullave dhe politikave të Antidopingut, e që duhet të jenë në përputhje me Kodin e WADA-s, si dhe do të bashkëpunoj me organizata tjera rajonale të Antidopingut, duke promovuar kështu edukimin dhe arsimimin e Lojës së pastër kundër përdorimit të substancave të ndaluara”, thotë Haxhijaj.

Comments are closed.