Përfaqësuesja U-20 e Kosovës në hendboll për femra e ka fituar me rezultat zyrtar ndeshjen ndaj Serbisë. Ishte Qeveria e Serbisë që mori vendimin që të ndalojë zhvillimin e ndeshjes duke iu referuar “çështjeve të sigurisë”. Ndeshja është dashur të luhet në Qendrën Sportive “Kovilovo” në afërsi të Beogradit. Në kohën kur përfaqësuesja jonë po bëhej gati për ndeshje u bë i ditur vendimi që ndeshja nuk zhvillohet. “Atmosfera në përfaqësuese është shumë e mirë, vajzat janë të qeta, komode dhe në disponim. Sigurimi në këtë qendër është në nivel të lartë dhe nuk ka ndonjë shqetësim për sigurinë e vajzave”, thuhet në njoftimin për media të FHK-së, përcjell Koha.net. Kosova të shtunën e të dielën duhet t’i luajë dy ndeshjet tjera në grup në kuadër të kualifikimeve për botëror. Norvegjia e Sllovakia janë rivalët e Kosovës.
Në anën tjetër, Federata Evropiane e Hendbollit ka konfirmuar përjashtimin e Kombëtares së Serbisë U20 për femra nga turneu që është duke u zhvilluar në Beograd, transmeton Koha.net. EHF-i përmes një komunikate për media bën të ditur se, “në kohën e fillimit të ndeshjes (ora 16:00) ishte e pamundur të hynin në sallë delegatët e EHF, gjyqtarët, dhe ekipi i Kosovës përkundër që të gjithë ishin të pranishëm në hyrje të sallës. Ekipi i Serbisë nuk ishte i pranishëm në zonën e sallës së lojës gjatë gjithë kohës së këtij procesi”.
“Bazuar në këtë fakt delegatët e EHF-it, gjyqtarët dhe ekipi i Kosovës ishin të gatshëm që të fillonin ndeshjen me kohë. Duke marrë në konsideratë rregulloren për Turneun e Kualifikimeve të YAC, ekipi i Serbisë përjashtohet nga turneu dhe Grupi 5 i Turneut të Kualifikimeve ËU20 bëhet vetëm me tre ekipe (Kosova, Norvegjia, dhe Sllovakia)”, thuhet në konfirmimin e EHF-së.
EHF bën të ditur se orari i ndeshjeve të tjera të këtij grupi nuk kanë ndryshuar.