“Kosova sillet sikur një shtet pa COVID-19… Por Kosova është një shtet i rrënuar nga pandemia… Në SHBA nëse nuk i bartni maskat në publik, ju mund të përfundoni në një video virale; në Kosovë më shumë ka gjasa të bëheni trend në rrjetet sociale sepse po mbani maskë”, shkruhet në kabllogramin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, cituar nga gazetarja e “Politicos”, Nahai Toosi
Të rrënuar nga pandemia e paraqet Kosovën një kabllogram i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, sipas gazetares së mediumit të njohur “Politico”, Nahai Toosi. Në një seri postimesh në Twitter, Toosi ka shpalosur detaje nga dokumenti që thotë se është i nënshkruar nga ambasadori Philip Kosnett. Aty ajo ka dhënë detaje për shqetësimet që kanë shprehur diplomatët amerikanë në Kosovë lidhur me çështjet që lidhen me pandeminë dhe me të tjera. Tejet e rëndë është paraqitur situata në Kosovë edhe për gjendjen para pandemisë. Toosi ka shkruar se ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, në këtë dokument ka deklaruar se Ambasada në Prishtinë është “në pikë kritike”. Ajo, po ashtu, ka thënë se amerikanët edhe para situatës së shkaktuar nga COVID-19 kishin pasur probleme me ajrin e ndotur, me hapësirat e pakta të gjelbra, me shanset e vogla për aktivitete në hapësirat e jashtme dhe me infrastrukturën e keqe në kryeqytetin e Kosovës.
Në kabllogram, sipas saj, janë përmendur tufat e qenve endacakë që mund të jenë agresivë kur janë të uritur. Për këtë dhe arsye të tjera “stafi i Ambasadës shpesh ka ngelur i mbyllur në kohën e krizës së COVID-19”. Në kabllogram theksohet, po ashtu, se ka mungesë të stafit e se punonjësit po bëjnë më shumë punë sesa që u takon. “Ka ndikim tejet negativ në shëndetin tim”, kishte thënë një punëtor në një studim të kryer e që shpaloset në kabllogram, ka deklaruar Toosi. “Orari i gjatë” është përmendur si pikë tjetër e vështirë nga punëtorët në këtë ambasadë. “Jam duke punuar me orar më të gjatë (kanë kaluar pesë orë prej përfundimit të orarit dhe unë jam ende në punë teksa po shkruaj këtë), ankth, dhimbje gjoksi e pagjumësi”. Kabllogrami shton se edhe “përplasjet mes personelit në Ambasadë janë më të shpeshta”.
Sipas kabllogramit, të shpalosur nga Toosi, rreth 20 për qind të punonjësve të kësaj ambasade kanë qenë të infektuar me COVID-19, shumica staf lokal. Aty është thënë se “ky është indikacion për humbjen e kontrollit të sëmundjes në Kosovë”. “Kosova sillet sikur një shtet pa COVID-19… Por Kosova është një shtet i rrënuar nga pandemia… Në SHBA nëse nuk i bartni maskat në publik ju mund të përfundoni në një video virale; në Kosovë më shumë ka gjasa të bëheni trend në rrjetet sociale sepse po mbani maskë”, ka shkruar më tej në Twitter gazetarja. Ajo ka thënë se në kabllogram theksohet se “është vështirë të pranohet” që liderët e Departamentit të Shtetit kanë vënë prioritet vaksinimin e personelit në Washington. Pritjet e vazhdueshme e më pas dështimet për shpërndarjen e dozave të vaksinave e kanë shqetësuar stafin në Prishtinë. Shumë nga ata që punojnë në Kosovë, dyshojnë se do t’u vijë rendi ta marrin vaksinën ndonjëherë.
Sipas gazetares Toosi, i pyetur për të komentuar kabllogramin, një zyrtar i Departamentit të Shtetit ka thënë shkurt se Departamenti ka vënë në funksion rreth 80 për qind të dozave të vaksinave. Zëdhënësi ka shtuar se SHBA-ja synon të ofrojë vaksinën për të gjithë personelin e saj sa më shpejt që të jetë e mundshme. Në fund, gazetarja Toosi e ka mbyllur shkrimin duke shpërndarë një lajm të “Washington Postit” ku theksohet se diplomatët amerikanë nëpër botë kanë shprehur shqetësim për shpërndarjen e vaksinave. Në këtë artikull thuhet se madje personeli i Ambasadës në Rusi kishte kërkuar nga Qeveria ruse doza të vaksinës anti-COVID “Sputnik V”, pasi Washingtoni nuk u kishte premtuar vaksinimin në të ardhmen e afërt. Aktualisht në Kosovë janë 6470 raste aktive me COVID-19. Nga muaji mars në vend janë regjistruar 65 mijë e 982 raste pozitive me koronavirus. 1571 persona kanë humbur jetën si pasojë e virusit.