Gjatë vitit të kaluar mbi 1 mijë kosovarë janë diagnostikuar me sëmundjen ngjitëse të tuberkulozit pranë klinikës së Pulmologjisë në QKUK. Bazuar në këtë shifër, Kosova mbetet vendi i parë ne Evropë për nga numri i rasteve që bartin këtë sëmundje. Këto shifra po shihen shqetësuese nga ana e pulmologëve të QKUK-së, ngase shumica e rasteve po i prekin personat e moshave të reja.

Sëmundja e tuberkulozit, ndonëse nga viti në vit po shënon rënie e numrit të të prekurve, vazhdon të mbetet shqetësuese në Kosovë. Bazuar në të dhënat që prezantojnë profesionistët shëndetësorë, gjatë vitit 2017 rreth 1 mijë kosovarë janë prekur nga tuberkulozi. Kështu i ka thënë të martën Express’it, pulmologu Skender Baca.

Baca ka treguar se tuberkulozi më së shumti po i prek personat që jetojnë në komunitete apo bashkësi.

Advertisements

“Tuberkulozi mbetet ende problem aktual në Kosovë, sepse kemi raste të moshave të reja. Fatkeqësisht tash po kemi rekrutime të tuberkulozit tek komunitet qe po jetojnë në bashkësi si në konflikte, ushtri e të tjera. Do të thotë komunitetet e mbyllura si ushtria, policia, konviktet, shkollat kemi mjaftë raste. Për gjithë vitin e kaluar në Klinikën tonë janë paraqitur afro 1 mijë persona që janë diagnostifiku me tuberkuloz dhe që janë mjekuar  në vitin 2017 në Klinikën tonë. Prej tyre 6 persona kanë ndërruar jetë”, ka thënë Baca.

Sipas tij, vatër e tuberkulozit në Kosovë mbetet Kaçaniku, Lipjani, dhe Podujeva. Ai thotë se mjekimi fillestar për sëmundjen e tuberkulozit në Pulmologji zgjatë deri në gjashtë muaj.

“Terapia sipas OBSH’së tash e një kohë jepet si terapi gjashtë-mujore. Dhe në këtë terapi e aplikojmë që nga viti 2000”, thotë doktori.

Pulmologu Skender Baca thotë se shifra prej 1 mijë të prekurve me tuberkuloz është shqetësuese. Në Pulmologji për momentin trajtim mjekësor po kërkojnë 28 pacientë që bartin tuberkuloz.

“Pavarësisht se shifrat janë duke u zvogëluar, kjo shifër ende mbetet më e larta në rajon. Andaj shifrat e tilla nuk duhet nënçmuar. Në krahasim me shtet e tjera ne jemi shumë më keq. Andaj mos të nënçmohet kjo shifër”, ka thënë Baca.

Ai ka treguar se lloji më i shpeshtë i kësaj sëmundjeje është ai i mushkërive.

“Organi që më së shumti po ua prek tuberkulozi kosovarëve është mushkëria, pastaj ashti, pastaj pëlhura e barkut si dhe e zemrës. Tuberkulozi kohëve të fundit po i prek edhe organet gjenitale të femrave”, thotë ai. E në vitin 2016 rreth 717 kosovarë janë prekur nga tuberkulozi.

Ndërkohë, koordinatorja Kombëtare për TB, dr. Majlinda Gjocaj, në ditën Botërore të Tuberkulozit tha se gjatë këtyre viteve vërehet një rënie e madhe e rasteve me tuberkuloz. Kjo pasi që më 2001 numri i të prekurve me TB në Kosovë ishte 1674 duke rënë vazhdimisht, deri në 717 për vitin 2016.

Kujtojmë se rreth një e treta e popullatës në botë është e infektuar nga tuberkulozi. Sipas profesionistëve shëndetësorë, çdo 10 sekonda vdes një person në botë nga tuberkulozi dhe një i prekur nga kjo sëmundje mund të infektojë 10 deri në 15 njerëz brenda një viti./Express/