Kosova është «foshnjë» e kidnapuar nga bandat e korrupcionit, të drogës e klaneve kanunore. Prej më se njëzetë vitesh rresht, Kosova nuk e din ku, e kah po shkon. Ajo diskriminohet edhe nga vetë njerëzit e saj – ka prej atyre që nuk ia duan as ngjyrat, që e duan ashtu siç do të kishim dëshirë të ishte, dhe jo të veshur siç është, me atë që ajo ka në fakt
Nga Mirishahe LIMANI HILER
Prej më se njëzetë vitesh Kosova, po e njëjta, me shumicën e individëve të njejtë, herë në pozitë e herë në opozitë, herë në një formacion politik e herë në një tjetër, ka mbetur në një udhëkryq ku asnjëherë nuk po mundet të gjej semaforët e gjelbër e të vazhdojë në drejtim të duhur.
Rrugëtimi i saj i pasluftës i ngjanë një foshnjeje që rritet pa përkujdesje e dashuri prindore.
Gjithëçka konsiderohet normale, duke pasur parasysh lindjen e saj të vështirë, e cila pa intervenimin e miqve të jashtëm nuk do të ishte këtu ku gjindet sot.
Qeveritë e saj nuk e vaksinojnë asnjeherë me kohë. Cdo virus që prekë Kosovën konsiderohet normale në rritjen e zhvillimin e saj. Çdo smundje që atë e bënë të vuajë në katër stinët e vitit, diagnostifikohet si smundje gjenetike dhe askush realisht nuk qanë kokën për ADN-ën e saj. Thjesht, çdo ndihmë humanitare (shih dhe buxhetin e saj nga familja evropiane) hargjohet për lodra teknologjike dhe veshje extravagande e jo për t’a mësuar atë të ecën drejtë, të dijë ta përqafoj dijen e të mos jetojë në kurriz të të tjerëve.
A mendon Kosova se bota sillet rreth saj? Po! Sepse kështu prezentohet ajo nga qeveritarët e saj. Kjo «foshnje» që rritet vetëm, larg të tjerëve, pa asnjë relacion e shkëmbim me të tjerët, gati ka filluar të besojë në egzistencën e saj unike. Prej më se njëzetë vitesh, tashmë të kaluara, ajo konsiderohet foshnjë. Një foshnjë e braktisur së cilës askush nuk ka guxim t’i thot se mosha e saj reale është ligjërisht madhore, që ka të drejtën të vendosë për veten. Ajo diskriminohet edhe nga vetë njerëzit e saj – ka prej atyre që nuk ia duan as ngjyrat, që e duan ashtu siç do të kishim dëshirë të ishte, dhe jo të veshur siç është, me atë që ajo ka në fakt.
Kosova e gënjyer gënjehet me gënjeshtra.Hannah Arendt thot: “Kur të gjithë gënjejnë gjithë kohën, rezultati nuk është që ti i beson këto gënjeshtra, por askush nuk beson më në asgjë. Një popull që nuk mund të besojë asgjë nuk mund të formojë një mendim. Ai është i privuar jo vetëm nga aftësia e tij për të vepruar, por edhe nga aftësia e tij për të menduar dhe për të gjykuar. Dhe, me një popull të tillë, mund të bëni atë që ju pëlqen.”
Prej më se njëzetë vitesh rresht, Kosova nuk e din ku, e kah po shkon.
Qeveritarët thonë se është me rëndësi që ajo ka filluar të zhagitet, kurse populli nuk e kupton dot pse ajo deri më sot nuk është ngritur në këmbët e veta.
Në mesin e qeveritarëve, pa dyshim, ka dhe prej atyre që e duan, mirëpo shprehja e kësaj dashurie sot e kësaj dite ka mbetur vetëm në mendjen e tyre. Hapësira për të vepruar është e kufizuar në një diametër sa edhe vetë hija e tyre.
Kosova është «foshnjë» e kidnapuar nga bandat e korrupcionit, të drogës e klaneve kanunore.
E mira në gjithë këtë mjerim qëndron në faktin e vetëm se asaj ende nuk iu kanë fikur ëndrrat! Mirëpo, megjithatë vaji i saj nga dhembjet është i zëshëm, i prishet gjumi prej tyre e ka frikë se do t’ia humbin edhe ato pak ëndrra që i kanë mbetur.
16.11.18 Gjenevë