Kosova e gatshme t’i pranojë kosovarët që mund t’i ekstradojë Turqia

Institucionet e Kosovës thonë se janë të gatshme që t’i pranojnë kosovarët që kanë qenë të përfshirë në luftën e Sirisë duke luftuar krah grupit militant Shteti Islamik (IS) dhe që mund të jenë të burgosur në Turqi. Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, ministri i brendshëm në detyrë i Kosovës, Ekrem Mustafa.

Komentet e ministrit nga Kosova vijnë pas paralajmërimeve të autoriteteve turke se kthimi i xhihadistëve në vendet e tyre do të fillojë nga e hëna.

Megjithëse ministri i brendshëm në detyrë, Ekrem Mustafa, tha se Kosova ka vullnet që t’i pranojë personat që kanë luftuar krah grupit militant Shteti Islamik (IS), aktualisht, Turqia nuk ka dhënë asnjë informacion për ndonjë ekstradim te mundshëm te institucionet e Kosovës.

“Nuk kemi kurrfarë njoftimi nga ta deri me sot. Ne nuk guxojmë t’i lëmë ashtu të lirë sepse ata janë më të rrezikshëm nëse i lëmë rrugëve se sa me i marrë dhe me iu shqiptuar dënimet e merituara”, tha ministri Mustafa.

“Ne jemi në kontakt edhe me Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Ambasadën Amerikane, do të thotë, me të gjithë jemi në kontakt për zgjidhjen e këtij problemi por nuk parashihet kurrfarë ekstradimi për momentin. Tash çfarë ndryshon brenda ditës apo brenda natës, normal se edhe Turqia nuk e di përafërsisht se të cilit vend janë”, tha ministri Mustafa.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar edhe Koordinatorin Nacional kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, Fatos Makolli, por ky i fundit nuk ka dhënë asnjë informacion në lidhje me ndonjë operacion të riatdhesimit apo ekstradimit të kosovarëve nga Turqia.

Javën e kaluar, ministri i brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu, njoftoi se Turqia ka në paraburgim afro 1,200 luftëtarë të huaj të grupit militant Shtetit Islamik (IS) dhe se ka kapur 287 të tjerë në operacionin e saj të fundit në veri të Sirisë.

Turqia fillon ekstradimin e disa xhihadistëve

Të hënën pasdite autoritetet turke thanë se kanë nisur kthimin e xhihadistëve të huaj në vendet e tyre të origjinës. Një amerikan tashmë është dëbuar, ndërsa disa evropianë janë në proces të dëbimit nga Turqia, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme turke, Ismail Catakli.

“Një luftëtar i huaj terrorist nga Shtetet e Bashkuara është dëbuar pasi janë kryer të gjitha procedurat. Planet e udhëtimit për shtatë luftëtarë terroristë me origjinë nga Gjermania kanë përfunduar po ashtu dhe ata do të dëbohen më 14 nëntor”, tha Catakli.

Turqia i ka kritikuar vendet perëndimore që kanë refuzuar t’i riatdhesojnë shtetasit e tyre, që i janë bashkuar Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, madje duke ua marrë disave edhe shtetësinë. (rel)