Prishtinë, 2 gusht – Institucionet e Kosovës gjatë ditëve në vijim pritet t’i shpenzojnë 2.6 milionë euro për blerjen e 71 xhipave luksozë, si dhe 15 automjeteve për udhëtarë, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Përveç asaj, sipas shkrimit të gazetës “Zëri” nga fillimi i këtij viti e deri më tash institucionet kanë marrë me qira edhe rreth 400 automjete tjera për të cilat do të paguajnë rreth 10 milionë euro nga buxheti shtetëror.
Më shumë se 2.6 milionë euro do t’i shpenzojnë institucionet e vendit për blerjen e 71 xhipave luksozë për Policinë e Kosovës, për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe të 15 automjeteve për udhëtarë.
Burime të Agjencisë qendrore për furnizime në Kosovë, e cila i organizon furnizimet për të gjitha institucionet të cilat financohen nga buxheti i Kosovës, për “Zëri”-in thonë se çdo ditë rriten kërkesat për marrje me qira, por edhe për blerje të automjeteve.