Fatos RUSHITI
Shkup, 24 janar – Zëvendëskryeministri i Kosovës për çështje evropiane, Enver Hoxhaj, të martën në pati takim me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, për të koordinuar aktivitetet për organizmin e mbledhje së përbashkët qeveritare mes të dyja vendeve. Zëvendëskryeministri Hoxhaj tha se ndër pikat kryesore do të jenë lehtësimi i procedurave në kufi, hapja e pikës së re kufitare Stançiç-Bellanoc dhe ndërtimi i autostradës në pjesën e Maqedonisë, nga qarkorja e Shkupit deri në Bllacë. “Pas vizitës në Kosovë dhe takimit që kishte Zaev me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që unë të jem koordinator për organizmin e mbledhjes së përbashkët qeveritare. Prandaj e takova kryeministrin Zaev, ministrin për Diasporë dhe shefin për Politikë të Jashtme në kryeministri dhe diskutuam për atë se si në një kohë sa më të afërt – të organizojmë mbledhje të përbashkët qeveritare. Pas kësaj mendoj se duhet të ketë një deklaratë të përbashkët ku fokusi kryesor do të jetë bashkëpunimi rajonal sidomos ai ekonomik, tregtar dhe bashkëpunim më i madh mes të dy shoqërive tona”, tha për mediat zëvendëskryeministri kosovar, Enver Hoxhaj. Ai përmendi muajin mars si më të mundshmin për mbledhje të përbashkët, por pa precizuar ende ndonjë datë të caktuar.
“Ende nuk kemi ndonjë datë të caktuar, por mendojmë të jetë diku nga marsi. Deri atëherë do të kemi mjaft kohë që marrëveshjet të cilat i kemi diskutuar deri më tani – ti finalizojmë. Duhet të kemi një strategji të përbashkët se cilat tema do të trajtohen. Ne mendojmë se lëvizja mes njerëzve duhet të jetë më e thjeshtë, procedurat në kufi duhet të jenë më të thjeshta, duhet të hapet pika kufitare Stançiç-Bellanoc, jemi të interesuar që të fillojë të ndërtohet autostrada në pjesën e Maqedonisë, meqë ne në Kosovë përfundojmë segmentin Han i Elezit-Prishtinë. Duhet të ketë bashkëpunim sa më të madh ekonomik, edhe tregtar edhe kulturor edhe arsimor. Ndonëse nga Qeveria nuk kishte asnjë lajmërim për vizitë zyrtare dhe në agjendën zyrtare të kryeministrit Zaev nuk ishte paraparë asnjë takim me zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj, ky i fundit tha para mediave se takimi ishte zyrtar. Siç dihet edhe përskaj asaj se ndërtimi i autostradës ka qenë i parashikuar që të dyja vendet të mbarojnë atë në vitin 2018, Maqedonia për dallim nga Kosova që pret përurimin e saj, ende është në fazën e fizibilitetit dhe riprojektimit. Në Buxhetin 2018, Qeveria e Maqedonisë ka paraparë mjete për riprojektim, ndërsa ndërtimi do të fillojë tek në vitin 2019. Sipas asaj që ka thënë ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski më 28 dhjetor të vitit të kaluar gjatë seancës për pyetje të deputetëve, pritjet e tij janë që “në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2019 të fillojë ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë, për të cilin projekt bëhet riprojektim që të shmangen problemet të cilat janë paraqitur gjatë ndërtimit të autostradave vijuese”. Ndërkaq i njëjti tha se vetëm për sanimin e rrugës deri në nisjen e ndërtimit në buxhetin vitit 2018-ët janë paraparë 3 milionë euro. Sa i përket pikës kufitare Stançiç-Bellanoc, për dallim nga Kosova që kishte përfunduar ndërtimin e rrugës tre vite më parë, Maqedonia është vonuar dhe tek në verë të vitit e kaluar ka përfunduar segmentin rrugor Sllupçan-Stançiç. (koha.mk)