Nuk ka asgjë për të habitur nga ky vendim i Kosovës. Për t’u habitur është vetëm fakti se pse ishte kaq i vonuar! Le të merret Evropa dhe Amerika me të dyja palët dhe të mbështesë ata që duan lirinë, sovranitetin, demokracinë dhe miqësinë e mirë, pa asnjë mëdyshje po flas për shtetin e Kosovës!
Nga Dr.Arben TARAVARI
Një nga lajmet që bëri zhurmë të madhe në Rajon dhe ka trazuar ujërat interkontinentale, është vendosja e taksës 100 për 100 nga ana e Kosovës ndaj çdo malli që importohet nga Serbia. Disa shtete, me Serbinë në krye e quajtën vendimin si flagrant, madje kjo e fundit ka kërcënuar edhe me trazira. Shtetet aleate të Kosovës pothuajse heshtën përveç kryeministrit tjetër shqiptar Edi Rama, i cili foli aq qartë e shkoqur në favor të këtij vendimi, aq sa tronditi Serbinë e cila doli me një deklaratë ku thotë se pas reagimit të Ramës ne (Serbia pra) heqim dorë nga çdo takim për bashkëpunim Rajonal.
Kurse mua personalisht më duket një vendim i vonuar i Kosovës zyrtare. Nuk jam i vetmi që mendoj kështu. Vendimi është shumë i drejtë sipas meje dhe këtë konkluzion nuk e kam aspak të afektuar nga kombësia ime shqiptare, pra nuk flas kështu sepse Kosova është kombi im, por flas si qytetar i Evropës Demokratike, si aspirant për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe vlerave të tij.
Gjithsesi theksoj se ky veprim duhej të ishte ndërmarrë vite më parë, shumë gjëra do ishin zgjidhur më mirë e më shpejt. Serbia është një nga shtetet më problematike në Ballkan. Historia ka treguar se politika e prapambetur e këtij vendi ka sjellë luftëra të tmerrshme që kanë shkaktuar viktima dhe tragjedi ç’njerëzore. Serbia padyshim që është e pafat në zgjedhjen e politikanëve të saj! Jam i sigurt që populli serb do që ta largojë sa më shpejt damkën e vrasësve dhe shovinistëve që i është ngjitur në popujt e tjerë ballkanikë e më gjerë, por politikanët e tij nuk po e ndihmojnë drejt këtij pastrimi të emrit.
Duhet të vëreni me kujdes se nuk duhet barazuar populli serb me politikanët në fuqi, pasi popujt në gadishullin tonë udhëhiqen shumë rrallë nga politika që duan, kështu duke qëndruar tek politika serbe, kjo e fundit vazhdon të flasë jerm e çfarë është më e keqja, të merret seriozisht! Me agresivitetin të një fëmije hiperaktiv politika Serbe ka kërcënuar, penguar e fyer me veprimet e saj jo vetëm Kosovën, por edhe shumë shtete sovranë si ajo. Po flas për periudhën pas lufte. Edhe pse u vendos me vulë që Kosova është shtet i pavarur, politika patologjike serbe ndaj saj vazhdon ditën me diell.
Në sy të gjithë botës Serbia deklaron që Kosova është Serbi, pra është e një shteti që Kosovës s’ka shumë që i ka vrarë foshnjat në djep, dhe Evropa hesht, asnjë deklaratë nuk kam dëgjuar prej saj që të dënojë këto kërcënime të rënda ndaj një shteti sovran. Pas 1000 zullumesh nga ana Serbisë, megjithëse duhej shumë më përpara, Kosova më në fund u zgjua! Kështu pasi Evropa e ka lënë Kosovën as mish e as peshk, kjo e fundit vendosi të ngrejë zërin e saj!
Bllokada e fundit që i bëri Serbia Kosovës, ishte mospranimi i saj në policinë ndërkombëtare të Interpolit. Këtë fakt e lejoi Evropa, ndërkohë Serbia e festoi. Me fjalë të tjera statusi i Kosovës është: prit njëherë të qetësojmë Serbinë se ti more pavarësinë, nuk ke gojë të kërkosh gjë tjetër…
Status sa i padrejtë aq edhe absurd! Kosova pengohet nga Serbia për të gëzuar të drejtën e të qenurit pjesë e institucioneve ndërkombëtare, ç’ka është e frikshme! Kosova më në fund vendosi t’i thotë zyrtarisht Serbisë: ti nuk na do të pavarur, ne jemi! Kujtojmë që rritja e taksës në maksimalen e vlerës së saj nga ana e Kosovës është një vendim me kontekst ekonomik, i cili është shumë i përhapur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së fundmi. Madje presidenti Tramp e ka si strategji personale stabilizimin e raporteve ndërkombëtare nëpërmjet raporteve ekonomike.
Ndaj nuk ka asgjë për të habitur nga ky vendim i Kosovës. Për t’u habitur është vetëm fakti se pse ishte kaq i vonuar! Le të merret Evropa dhe Amerika me të dyja palët dhe të mbështesë ata që duan lirinë, sovranitetin, demokracinë dhe miqësinë e mirë, pa asnjë mëdyshje po flas për shtetin e Kosovës!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)