Në Qendrën informative turistike të Mavrovës, por edhe në Komunën Mavrovë Rostushë, thonë se numri i turistëve nga Shqipëria dhe Kosova çdo vit e më shumë është në rritje
Vjollca SADIKU
Mavrovë, 15 janar – Turizmi dimëror është një nga shtyllat kryesore të Komunës Mavrovë Rostushë. Edhe pse deri tani gjatë këtij sezoni dimëror reshjet e dëborës nuk kanë qenë në nivelin si vitet e tjera, interesimi për të kaluar pushimet dimërore në këtë destinacion turistik dimëror është i madh. Viteve të fundit është në rritje numri i turistëve nga Shqipëria dhe Kosova, theksojnë përfaqësuesit e hoteleve në Mavrovë, shkruan gazeta KOHA. Sipas menaxherit të hotelit “Bistra”, Ognen Cigovski, aktualisht mbi 50 për qind të turistëve janë nga Kosova dhe Shqipëria, derisa pjesa tjetër janë turistë vendas. Ai thekson se për çdo vit, gjatë sezonit dimëror ka turistë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët kryesisht shfrytëzojnë pushimet dimërore në këtë perlë.
Nga ana tjetër, në Qendrën informative turistike të Mavrovës, e cila jep informata për mundësitë që ofron Parku nacional i Mavrovës, por edhe Komuna Mavrovë Rostushë, thonë se interesimi i turistëve nga Shqipëria dhe Kosova për Mavrovën është në rritje. Bukuritë natyrore si Sky -Qendra dhe kapacitete hotelerike tërësisht janë të një niveli të lartë për turistët nga rajoni më i gjerë, thonë në këtë Qendër. Hamlet Ahmeti nga qendra në fjalë thotë se pothuajse çdo javë ka turistë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët interesohen për të ardhur në Mavrovë, por jo vetëm dimrit, por edhe gjatë verës. Ai thekson se interesimi për Mavrovën është i lidhur edhe me parkun Nacional, i cili është një pasuri e madhe për këtë rajon. Në bisedën që patëm me Besi Muda nga Durrësi, u informuam se viteve të fundit rregullisht gjatë sezonit dimëror së bashku me familjen e tij pushon në Mavrovë.
“Edhe pse patëm një tërmet të fuqishëm , u përcaktova të bëj një relaks dimëror përsëri në Mavrovë”, thotë Besi . Ai shton se është një kënaqësi e madhe që pushimet dimërore ti kalosh në Mavrovë. Sipas tij, si Sky-Qendra, por edhe akomodimi në hotele është në nivelin e duhur. Kur jemi tek Mavrova, duhet theksuar se kemi një numër të madh të dibranëve, të cilët sidomos gjatë vikendeve pushojnë në pushimoret të Mavrovës. Ata kryesisht ditën e shtunë dhe të dielën paguajnë qëndrimin në vilat private, të cilët jepen me qira në Mavrovë dhe pastaj rekreohen së bashku me anëtarët e familjes. Në krahasim me vitet të tjera kur dibranët gjatë sezonit dimëror pushimet i kalonin në disa qendra dimëror në Bullgari – kryesisht në Bansko, dy vitet e fundit pjesa dërmuese e tyre pushon në Mavrovë. Sipas tyre, ambienti – por edhe çmimi i volitshëm i josh ata për të kaluar pushimet dimërore në Mavrovë. (koha.mk)