Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka arritur të sigurojë një prej talenteve të futbollit italian, Andi Zeqiri, bën të ditur ATSH, transmeton gazeta Koha. Interesi i futbollistëve të rinj për të luajtur nën drejtimin e trajnerit Bernard Challandes është rritur, duke parë dhe rezultatet pozitive të arritura nga Kosova në fazën e grupeve për eliminatoret e Europianit të vitit 2020. Në këtë drejtim pritet dhe afrimi i Andi Zeqirit, futbollistit të talentuar që ka luajtur dhe për një nga skuadrat më të mira në Europë, “Juventusi”.
Sulmuesi u huazua nga Juventusi sezonin e kaluar dhe u rikthye sërish tek ekipi i tij i lindjes, Lausanne. 20-vjeçari luan në Kategorinë e Dytë dhe në 6 ndeshje ka realizuar 6 gola. Zeqiri grumbullohet nga Zvicra U-21, madje në ndeshjen e fundit të vlefshme për Europianin e U-21 realizoi 2 gola ndaj Lihtenshtejnit.
Zeqiri ka qenë prej kohësh në negociata me Kosovën dhe tashmë më në fund është bindur. Një lëvizje shumë e mirë nga Kosova. Tashmë Challandes do ketë më shumë alternativa dhe një skuadër që bind në të tashmen, por dhe që përgatit më së miri dhe ekipin e të ardhmes.