Shkup, 7 qershor – Shqipëria vijon me rënien e lirë në renditjen e FIFA-s. Shkak janë bërë dy humbjet e thella, respektivisht 3-0 me Kosovën, dhe 4-1 me Ukrainën. Shqipëria renditet në vend të 58 me 538 pikë, duke humbur edhe këtë muaj dy pozicione në renditje. Por ky trend negativ mund të thellohet deri në shtator për shkak të Botërorit dhe humbjeve radhazi të Shqipërisë.
Në anën tjetër Kosova ka bërë një hap të madh duke u ngjitur me 11 pozicione falë fitores së thellë ndaj Shqipërisë. Kosova renditet në vend të 141 me 197 pikë të grumbulluara, një rekord i ri për përfaqësuesen, e cila ka shumë pak kohë që është bërë anëtare në FIFA. Ndërkohë, përfaqësuesja e Maqedonisë ka regjistruar një lëvizje pozitive prej 6 vendeve. Edhe pse gjatë muajit të kaluar nuk zhvilluan asnjë ndeshje, verdhekuqtë tashmë shohin veten në pozitën e 71. Sa i përket përfaqësueseve që kryesojnë, kampionët e botës në fuqi, Gjermania vijon të kryesojë me 1558 pikë, ndërsa Brazili ndjek me 1431 pikë. Bie në sy rënia e Spanjës me dy pozicione, duke shkuar në vend të 10-të dhe ngjitja e Polonisë në vend të tetë. Po ashtu Anglia është përmirësuar me një pozicion dhe Uruguai me tre të tilla.