Fakti që ne ndjehemi të revoltuar nga aksionet e tyre nuk duhet të na bëj inferiorë, përkundrazi, ne jemi superiorë! Është kaq e thjeshtë sa po edhe aq e vërtetë! Pengesat e tmerrshme që i vendosim vetes janë vetëm iluzione! Mos harroni që jemi ne që mund të marrim vendimin e protestës, vendimin e ndryshimit, vendimin e barazisë, vendimin e drejtësisë, vendimin e paqes, vendimin e lumturisë…
Nga Arben TARAVARI
Në këtë shkrim do përpiqem prapë të tregoj sa më thjesht marrëdhënien që kemi ne me organin tonë kapital – trurin! Vet fjalia është disi paradoksale pasi shumica jonë e sheh trurin si një njësi të vetme, si një organ që shumë herë na ka në dorë, që pavarësisht “se ne nuk duam, është truri që na ngacmon”!
Është pikërisht nga ky pohim i hasur shpesh ku gjeni shpjegimin për shprehjen: është pasojë nga truri ynë. Truri është një organ tepër kompleks, madje më kompleksi i qenies njerëzore. Shkencat e trurit janë të ndara në disa fusha, secila prej tyre e komplikuar që studion një varg raportesh të Zonave të Trurit! Pra kjo do të thotë që Truri nuk duhet parë si një dhe i vetëm, duhen ditur zonat e tij, në mënyrë që të jemi të aftë të dominojmë trurin tonë. A është e mundur kjo? 24 orë në 24! Truri është i pajisur me gjithë mekanizmat e duhur, por situata të jashtme të cilat i përçojnë Trurit presion, tension, ankth, bëjnë që ne të “humbasim kontrollin e trurit”.
Nuk i referohem rasteve kur kemi të bëjmë me anomali fizike që derivojnë dhe shkaktojnë gjendje klinike, por po flas për individë me Tru totalisht të shëndoshë që marrin vendime të gabuara, vendime të cilat ndikojnë në uljen e cilësisë së jetës. Kur kam qenë ende student, pa u bërë neurolog, gjithnjë mendoja se Truri duhet parë si një lloj muskuli që ka nevojë të stërvitet! Sigurisht që mësova shumë për Trurin gjithë këto vite por metafora e “Muskulit që do stërvitje” nuk më ndryshoi!
Shikoni t’ju jap një krahasim që mendoj se do të ndihmojë të jem më i kuptueshëm: Ushtria Kineze ka numrin më të madh të ushtarëve në botë: shifra e fundit zyrtare flet për rreth 2 milion ushtarë. Kina ka ushtarë më shumë se sa gjithë popullsia e Maqedonisë. Mirëpo ushtria më e fortë në botë është ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës!
Pse ndodh kjo? Sepse unë mendoj që amerikanët dinë të stërvitin më mirë Trurin e tyre! Ndërkohë si amerikanët që Zoti i bekoftë, rusët, kinezët, shqiptarët, maqedonasit, kanë një shifër të barabartë neuronesh në Trurin e tyre, por diferenca është se kush dominon më mirë ushtritë e neuroneve të cilat, potencoj, janë të barabarta! Ne këtu në shtetin tonë jemi të rrethuar nga njerëz që duan thashetheme, jemi të rrethuar nga krime politike që ka njerëz që i duan, nga varfëri që ka njerëz që e duan, për ndryshe Truri i tyre, ai Truri Social që e dua aq shumë, do kishte reaguar.
Në të njëjtën kohë që konstatoj këtë fakt, di që ka dhe mijëra individë që nuk pajtohen me këtë gjendje, si personalisht ashtu dhe kolektivisht. Nuk pajtohen por ndjehen të pafuqishëm për të ndryshuar diçka. Truri i tyre është i strukur në pamundësi, në inercion, në dorëzim dhe pësim…
Ata e dinë që nuk është e drejtë, perceptojnë por nuk reagojnë. Është frikë e justifikueshme që frenon aksionet e tyre por kjo frikë është edhe një mal rëre nëse një moment arrijnë ta dominojnë. Shmangia e frikës pastron arsyen, arsyeja e shëndoshë është pikërisht Çelësi Ideal! Truri ynë është një organ që ka harmoni të jashtëzakonshme midis departamenteve të tij. Si një shtet perfekt ai është i ndarë në ministri, departamente, drejtori e zyra, ku të gjithë punojnë për të zbatuar urdhrat që ju japim ne vet!
Për shembull, a e dini se çfarë është Korteksi cerebral? Korteksi Cerebral është shtresa që mbulon Trurin e madh, shtresa e supreme e tij, është “zyra” ku shqyrtohen të gjitha informacionet që ne marrim, është dhe “gjykata” ku marrim vendime.
Në këtë vend (korteksi cerebral) ka seksione të veçanta të cilët janë përgjegjës për veprime të veçanta. Kur kujtojmë ngjarje të së shkuarës të depozituara në memorien tonë, kur kthejmë përgjigje për pyetje të caktuara, vëmë në përdorim lobet frontale të korteksit tonë. Ndërkohë që lobet oksipitale janë përkthyesit tanë, ata na sjellin në gjuhë të kuptueshme informacionin mbi pamjet, ndërsa lobet temporale na servojnë informacionet mbi tingujt dhe zërat. A duam ne të shikojmë apo dëgjojmë ende për padrejtësi?!
A duam ne të përçojmë mesazhe si:
Babë, kam vendosur të largohem nga vendi dhe të gjej punë në Zvicër, Gjermani apo Kanada…
Nuk më punësojnë se nuk jam me partinë e tyre…
Më vdiq fëmija se nuk kisha para për mjekim…
Është kriminel po nuk i bëjnë asgjë se ka krahët e fortë në qeveri…
E dhjetëra e qindra pamje të rënda që shoqërojnë ditën tonë dhe e kushtëzojnë lumturinë tonë?
Jo! Sepse këto mesazhe shkaktojnë dhimbje, ankth, depresion! Cila është zgjidhja? Ndryshimi i këtyre të dhënave! Ne i kemi të gjitha mundësitë për të ndryshuar atë që nuk na pëlqen! Truri anormal i një krimineli është shumë më i dobët se sa truri ynë që jemi njerëz të shëndetshëm!
Fakti që ne ndjehemi të revoltuar nga aksionet e tyre nuk duhet të na bëj inferiorë, përkundrazi, ne jemi superiorë! Është kaq e thjeshtë sa po edhe aq e vërtetë! Pengesat e tmerrshme që i vendosim vetes janë vetëm iluzione! Mos harroni që jemi ne që mund të marrim vendimin e protestës, vendimin e ndryshimit, vendimin e barazisë, vendimin e drejtësisë, vendimin e paqes, vendimin e lumturisë!
Jemi vetëm ne që kemi në dorë të ndryshojmë jetën tonë! Duke synuar sa më shumë lumturinë kolektive, pasi fuqimisht besoj se pa lumturi kolektive nuk ka dhe nuk do të ketë në asnjë epokë lumturi individuale. Truri vetëm pret të përdoret nga Ju! Është ushtria më e fuqishme në botë, diferenca është çfarë strategjie përdorim për ta vënë në aksion! Synoni paqen e lumturinë kolektive përditë, do shikoni ndryshimin patjetër. 50-70 % e dhimbjes fizike që ne ndjejmë është vetëm pasojë e stresit, stresi është i evitueshëm nëse luftohen faktorët e tij!
Është e thjeshtë për të gjithë ne që kemi 100 miliardë neurone! Mjafton që sinapset të çojnë pamjen dhe tingullin e një realiteti që na çon drejt Lumturisë, realitet që e bëjmë vetëm ne!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)