Si rojtar i mjeteve publike, ndërmarrjet shtetërore në vend se të jenë shembull i integritetit dhe transparencës, ato shquhen me sisteme të dobëta të menaxhimit dhe jo efikasitetit, si dhe me rrezik të lartë nga korrupsioni
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 24 shkurt – Ndërmarrjet shtetërore nuk janë gjithmonë imune ndaj korrupsionit për shkak të afërsisë së tyre me pushtetin dhe politikanët si dhe me vëllimin e mjeteve me të cilat menaxhojnë dhe pjesës kritike të shërbimeve që i ofrojnë. Ky është vlerësimi i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, hulumtimet e së cilës tregojnë se në korniza botërore pikërisht të punësuarit në ndërmarrjet shtetërore më së shumti marrin ryshfet, shkruan gazeta KOHA. Andaj nga OECD thonë se duke marrë parasysh madhësinë e kapitalit me të cilat disponojnë këto kompani si dhe rrezikun e rritur nga korrupsioni, imponohet një mbikëqyrje më e madhe e punës së tyre.
Në ndërkohë, hulumtuesit e praktikave anti-korrupsion thonë se tek mungon një kontroll më i madh i punës së kompanive në pronësi të shtetit. “Një gjendje e këtillë që e përshkruan OECD, sidomos është e theksuar në vendin tonë për shkak se ndërmarrjet shtetërore duke marrë parasysh kapitalin me të cilin disponojnë dhe numrin e të punësuarve paraqesin burim të madh të fuqisë ekonomike dhe politike të strukturave në pushtet apo partive qeverisës. Andaj kjo fuqi mundet lehtë të keqpërdoret në situatat e institucioneve të dobëta dhe jo funksionale të sistemit siç është gjendja tek ne”, thekson Sabina Fakiq autore e analizës “Mungesa e mbikëqyrjes si gjenerator i korrupsionit në ndërmarrjet shtetërore” nga Qendra për Komunikime Qytetare. Analiza është përgatitur me ndihmën e USAIDIT amerikan. Autorja e analizës thekson se si rojtar i mjeteve publike, ndërmarrjet shtetërore në vend se të jenë shembull i integritetit dhe transparencës , ato shquhen me sisteme të dobëta të menaxhimit dhe jo efikasitetit si dhe me rrezik të lartë nga korrupsioni.
Gjithashtu këto ndërmarrje plotësojnë vetëm 28 për qind të standardeve të vendosura të transparencës së organizimit të punës, transparencës së qasjes ndaj informacioneve dhe transparencës për rezultatet e punës. Hulumtimet tregojnë se gati gjysma e tyre nuk kanë publikuar as emrat e këshillave drejtues dhe mbikëqyrës. Njëherësh analiza thekson se raportet vjetore të Komisionit shtetëror për pengimin e korrupsionit tregojnë se në dhjetë vitet e kaluara apo nga viti 2009 deri në vitin 2018, tetë institucione kanë formuar 18 lëndë që kanë të bëjnë me ndërmarrjet shtetërore. Mirëpo nga 18 lëndë ku kanë qenë të përfshira ndërmarrjet shtetërore, Komisioni Anti korrupsion ka ngritur nisma para prokurorive publike për ngritjen e procedurave penale për personat udhëheqës apo personave në firmat me pronësi shtetërore, ndërsa në dy lëndë janë ngritur nisma për shkarkimin e drejtorëve për shkak të grumbullimit të funksioneve. Shkaqet për numrin e vogël të lëndëve ku përfshihet puna e kompanive shtetërore nuk mund të interpretohen s rezultat i punës së mirë të ndërmarrjeve shtetërore, por si rezultat i jo efikasitetit të Komisionit Anti-Korrupsion dhe besimit të ulët ndaj kapaciteteve dhe jo anshmërisë, që si rrjedhojë ka numrin e vogël të rasteve të ngritura nga palët e prekura. Sipas Fakiq, të dhënat dhe rezultatet e theksuara më lartë udhëzojnë se ekziston një mungesë brengosëse ndaj punës së ndërmarrjeve në pronësi shtetërore, andaj edhe kemi rritje të rrezikut të korrupsionit në kompanitë shtetërore. “Mbikëqyrja e opinionit është e pamundur në mënyrë absolute nga transparenca e dhe llogaridhënia e ulët e firmave, ndërsa edhe faktorët e shoqërisë qytetare janë shumë pasiv ndaj kërkesave për llogaridhënien e tyre. Pra në bazë të informacioneve që ofrohen në disponim, qytetarët edhe nuk kanë mundësi të ndjekin efektet e punës s firmave shtetërore”, shton më tej Fakiq.
Ajo sugjeron që në ardhmen këto ndërmarrje patjetër të përforcojnë përpjekjet e tyre për realizimin e standardeve për transparencë dhe llogaridhënie që dalin prej obligimeve ligjore dhe praktikës së mirë ndërkombëtare. Patjetër nevojitet të gjendet mënyrë për revizionin më të shpeshtë të këtyre ndërmarrjeve duke marrë parasysh se 142 prej tyre disponojnë me kapital prej 800 milion euro në nivel vjetor. Gjithashtu edhe Komisioni Anti-Korrupsion nevojitet që të vendosë nën llupë punën e këtyre ndërmarrjeve si dhe të ngrejë nisma që edhe institucionet e tjera të sistemit si themelues të tyre siç janë qeveria dhe kuvendi por edhe prokuroria dhe policia financiare të përmirësojnë mënyrën e punës së tyre. Ndryshe, edhe themeluesit e tyre – qeveria dhe komunat nuk po përgatisin analiza më të detajuara të punës së tyre, me çka mungon pasqyra e qartë e efikasitetit të punës së tyre. (koha.mk)