Institucionet që luftojnë korrupsionin një kohë të gjatë alarmojnë se iu duhen më shumë para, pajisje, hapësira të reja për pajisjet që veçmë i kanë, më shumë kuadro profesionale… Buxheti për vitin 2021 këto harxhimet nuk i parashikon në tërësi. Për shembull, në buxhetin e Drejtorisë së Policisë Financiare janë ndarë 912 mijë euro, që është për një mijë euro më pak se vitin e kaluar. Paratë e nevojshme dhe mungesa e kuadrove janë vetëm një pjesë e problemeve me të cilët ballafaqohet edhe Komisioni për Antikorrupsion
Xhenur ISENI
Shkup, 5 mars – Qeveria miratoi planin kundër korrupsionit. Sipas kryeministrit Zoran Zaev, përparësi do të jetë pastrimi i gjyqësorit përmes digjitalizimit të prokurorisë, rritja e kompetencave të inspektorëve dhe bashkëpunimi më i madh mes institucioneve. Pas katër viteve në pushtet, Zaevi thotë se tani është i gatshëm të shkatërrojë mbetjet e regjimit të qeverisë së mëparshme, qeverisja e të cilëve ka shkatërruar sistemin e shtetit. Megjithatë, Maqedonia e Veriut edhe këtë vit është më keq e ranguar deri më tani në indeksin për korrupsion të Transparency International me rënie prej 5 vendeve më poshtë, përkatësisht në vendin e 111 në shoqëri me Bosnjën, Panamanë dhe Mongolinë. Madje, bashkë me Bosnjën, Maqedonia e Veriut renditet e fundit në rajon sipas perceptimit për korrupsionin.
Por, institucionet që luftojnë korrupsionin një kohë të gjatë alarmojnë se iu duhen më shumë para, pajisje, hapësira të reja për pajisjet që veçmë i kanë, më shumë kuadro profesionale… Buxheti për vitin 2021 këto harxhimet nuk i parashikon në tërësi. Në Buxhet parashihet më shumë shpërndarje të parave nga viti i kaluar për luftën kundër korrupsionit, por nuk janë të mjaftueshme për nevojat e institucioneve. Për shembull, në buxhetin e Drejtorisë së Policisë Financiare janë ndarë 912 mijë euro, që është për një mijë euro më pak se vitin e kaluar. Nga kjo drejtori thonë se si institucion, e japin maksimumin e tyre, por punojnë me kapacitete të kufizuara, gjegjësisht se kanë pak para, kuadro dhe hapësira. Për Drejtorinë për Kundërzbulim Financiar për këtë vit nga buxheti janë ndarë gjysmë milionë euro në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Nga to, afër 380 mijë euro janë dedikuar për paga. Sipas rregullores për punë, që është i publikuar në ueb faqen e tyre, nga nevoja prej 50 punëtorëve, kjo drejtori ka vetëm 33 punonjës. Këtë vit më shumë para në buxhet janë parashikuar për Komisionin për Antikorrupsion, por gati se gjysma shkojnë për paga. Në buxhetin e vitit të kaluar, Antikorripsionit i janë ndarë 600 mijë euro, ndërsa këtë vit – 500 mijë euro, apo 100 mijë më pak.
Paratë e nevojshme për punë janë vetëm një pjesë e problemeve me të cilët ballafaqohet Komisioni për Antikorrupsion. Në këtë moment, ky Komisionin punon me vetëm 1/3 e kuadrove të nevojshme për punë. Sipas sistematizimit për punë në Komisionin për Antikorrupsion, por edhe sipas kompetencave dhe volumit të punës, Komisionit për Antikorrupsion i duhen 60 të punësuar. Kohë më parë, kryetarja e Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska deklaroi se “të punësuarit e marrëveshjes kornizë”, të cilët ishin shpërndarë në pozicione në Komision, nuk korrespondojnë plotësisht me nevojat reale të institucionit. “Derisa ne nuk gjejmë mënyrë se çfarë duhet të bëjmë, do të jetë ngarkesë. Dhe tani në mënyrë shtesë do të na merr kohë, më tutje duhet të mendojmë nëse do të na lejojnë ta rrisim sistematizimin, sepse më herët na thanë assesi, deri këtu dhe kaq! Ne, për shembull, dëshirojmë 100 persona t’i kemi, por na thanë se nuk mundet, sipas ligjit për administratorët na thanë se maksimumi do jetë 60 persona, dhe ne u ndalëm në 60”, thotë Ivanovska.
Me mungesë të kuadrit ballafaqohet edhe Enti Shtetërorë për Revizion, në të cilën – sipas sistematizimit, duhet të kenë 168 të punësuar, por tani kanë afër 100 të punësuar. Këtë vit, buxheti për këtë institucion është 1.8 milion euro, ose 160 mijë euro është më shumë se vitin e kaluar. Për paga dhe shtesa, Enti Shtetërorë për Revizion duhet të ndajë 1.4 milion euro, që domethënë ju mbeten vetëm 400 mijë euro për harxhime tjera. Për shembull, këtë vit janë parashikuar 32 mijë euro për pajisje të reja. Paratë e mbetura – rreth 30 mijë euro në muaj, janë paraparë për shërbime komunale, mirëmbajtja e ndërtesës së re e cila ka shumë probleme dhe parregullsi në ndërtim.
Për Prokurorinë Publike, nën ombrellën e së cilës janë gjithë Prokuroritë në vend, për këtë vit janë ndarë 9.2 milionë euro, që është për 172 mijë euro më shumë se vitin e kaluar. Por, nga ky buxhet, 6.3 milionë euro janë paraparë për paga dhe shtesa tjera. Nga buxheti i plotë për prokuroritë, për Prokurorinë Themelore Publike janë paraparë 2.9 milionë euro, ndërsa për Prokurorinë që ka për obligim të ndjek krimin e organizuar janë ndarë 1.3 milion euro. Për krahasim, në vitin 2015 kur edhe u formua Prokuroria Speciale Publike, buxheti i saj ishte gati se 10 herë më shumë sesa i Prokurorisë për krim të organizuar në atë periudhë. Për pajisje dhe resurse për punë, prokurorët në PSP të cilët në atë periudhë derisa ka funksionuar, kanë ngritur afër 20 aktakuza për ish-funksionarë të lartë shtetërorë. Derisa ka funksionuar PSP numëronte 90 të punësuar, nga të cilët 13 kanë qenë prokurorë. Por kjo prokurori u shuajt pas skandalit të madh të kryeprokurores speciale Katica Janeva, e cila ishte e përfshirë në rastin “Reket”.
Në ndërkohë, një hulumtimi i USAID-it për përforcimin e kapaciteteve në luftën kundër korrupsionit, tregon gjendje të keqe në të gjitha Prokuroritë e vendit. Sipas hulumtimit, në Maqedoninë e Veriut ka afër 170 prokurorë publik, derisa sipas sistematizimit – duhet të jenë së paku 220. Por në Prokuroritë mungojnë edhe qendrat hulumtuese që duhet të ndërmarrin kuadro shtesë me autorizime policore e të cilët do u ndihmonin prokurorëve rreth hetimeve të ndërmarra për raste të ndryshme. Zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit, Lupço Nikollovski, pohoi se rezultatet e planit të qeverisë do ta rikthejnë besimin te institucionet. “Plani është hartuar sipas kërkesave dhe udhëzimeve të OJQ-ve dhe organizatave të shoqërisë civile që punojnë për të luftuar korrupsionin në vend”, ka deklaruar Nikollovski, ndërsa shton se do të shkurtohet koha për realizimin e të drejtave të qytetarëve dhe do të ketë dënime më të ashpra për zyrtarët që do të përpiqen të korruptohen.
Por për ish-gjykatësin, Bashkim Selmani, Planin antikorrupsion që u promovua nga Qeveria, më tepër e sheh si shpëlarje të korrupsionit se sa luftë të vërtetë ndaj saj. “Ligji duhej të parashihte që në mënyrë paraprake të përfshinte 10 vjeçarin e fundit për arsye se Zaevi premtoi që gjithë ato miliarda që i mori Gruevski me vete do të kthehen, ndërsa asnjë qindarkë nuk është kthyer, dhe këtu duhej të kishte një aneks të veçantë për rikthimin e parave dhe përgjegjësitë, ndërsa Ligji aktual të vlejë vetëm për të ardhmen. Në këtë rast, planin e shoh më tepër si shpëlarje të korrupsionit se sa luftë ndaj korrupsionit”, ka deklaruar për KOHA, Selmani. Ndryshe, në Strategjinë nacionale për luftën kundër korrupsionit 2021-2025 janë cekur shumë mungesa në sistem, të cilat duhet të ndryshohen apo përmirësohen. Kuadro të kualifikuar dhe profesionalizuar, mekanizma për kontroll të institucioneve, më shumë inspektorë dhe prokurorë, por edhe më shumë para për hetime kualitative, revizione, etj, janë prioritete kyçe për luftë të vërtetë kundër korrupsionit, thuhet në Strategji. Por, kjo Strategji ende është në pritje tani disa muaj, për arsye se që të vijë në rend të zbatohet, deputetët në Parlament duhet ta votojnë të njëjtën. (koha.mk)