Nga Dr.Arben TARAVARI
Përpara se të merresha me politikë intesivisht, punoja si mjek-neurolog me orar të plotë, ndërkohë edhe ligjëroja në fakultetin e Mjekësisë. Në korridoret e spitalit dhe universiteteve që kanë të përbashkët shpresën, në vend të saj kanë gjë më të madhe se Shpresa që i bashkon, dhe emëruesi i njëjtë është KORRUPSIONI!
Kur dikush sëmuret menjëherë familjarët nxitojnë të gjejnë mik për mjekun, kur dikush është student menjëherë vrapon të gjejë mik për profesoreshën/profesorin nëse këta të fundit i kanë ngelur në ndonjë lëndë! Por historia e të gjeturit mik, e të bërit intervenca përshkallëzohet në çdo hallkë të shoqërisë tonë! Intervencat (ndërhyrjet) fillojnë që nga sportelet e dokumenteve rutinë, e deri në instancat më të larta shtetërore! Këtu tek ne, dikush që vjedh 50 euro quhet “hajdut”, e kush vjedh 50 milionë euro, quhet “politikan”!
Pra, korrupsioni duket se është bërë një mënyrë të jetuari në Maqedoni, latinët do thoshin një Modus Vivendi. Në shkolla, në zyra shtetërore, në organe të larta qeveritare, në institucione ligjdhënëse duket se qytetari apriori do të gjejë Mikun përpara të Drejtave të garantuara nga shteti! Le të analizojmë këtë sundim korruptiv. A mund të të korruptojë pushteti?!
Pushteti është i njëjtë si në Maqedoni, si në Gjermani, si në Holandë! Por janë njerëzit që caktohen për të ushtruar këtë pushtet që bëjnë dallimin. Në jetën time si neurolog më ka qëlluar të bëj shumë udhëtime profesionale dhe ka një dallim të jashtëzakonshëm midis një pacienti amerikan, gjerman, zviceran apo qoftë edhe slloven me një pacient të Maqedonisë.
Në asnjërin prej këtyre pacientëve nuk fle asnjë merak tjetër përveç atij të sëmundjes, kurse në Maqedoni qytetari ka meraqe të tjera që lidhen me sistemin korruptiv! Imagjinoni deri ku ka arritur të mësuarit tanë me Korrupsionin, ka shkuar deri aty sa për kryetarë komunash, drejtorë, ministria, shpesh herë popullata e di që ka të bëjë me njerëz me precedentë të fortë kriminalë! Të gjithë e dinë që njeriu që merr guximin të kandidojë është po i njëjti që ka marrë guximin të vjedhë para, e di vet i kandiduari, e di familja e tij, e di lagjja, e di qyteti, e di drejtësia! Por DREJTËSIA hesht! Atëherë edhe nëse qytetari, banori i lagjes, fqinji shkojnë ta denoncojnë do hasin në vesh të shurdhët pasi Drejtësia Hesht!
Atëherë këta politikanë ose ndryshe hajdutë që kanë vjedh nga 50 milionë euro vendosin diktatin e tyre! Madje për fat të keq disa prej tyre vazhdojnë ende të jenë në pushtet.
LDSM erdhi në fuqi pikërisht duke denoncuar të korruptuarit, kriminelët që gjendeshin në krye të shtetit, dhe po, Gruevski u largua, por ama vetëm me një pjesë të fajtorëve, pasi tabori i BDI-së bashkëpunëtorë ose të paktën memecët në krimet e VMRO-së, vazhdon të qëndrojë në pushtet! Si përfundim është pastruar vetëm një pjesë e krimit atëherë! Ndoshta Zaevit i duhet kohë! Gjithsesi de facto ne kemi një qeveri të paktën gjysëm të korruptuar për aq sens sa mund të ketë kjo shprehje, pasi nuk ka “TË KORRUPTUAR DHE GJYSËM TË KORRUPTUAR,” ka thjesht “TË KORRUPTUAR”! Domethënë , korrupsionin e kemi të institucionalizuar! Diplomati i shquar Henri Kisinxher do të thoshte një të vërtetë aksiomatike: Çdo popull meriton qeverinë që ka! Domethënë ne e meritojmë këtë qeveri të korruptuar, pasi jemi ne që votojmë këtë sistem! Jemi ne që tolerojmë spitalin, shkollën, zyrën te lagja, policinë, drejtësinë (gjithçka), të jetë korruptive, pasi jemi ne që zgjedhim kështu!
Të korruptuarit janë një klan i fuqishëm, të cilët manipulojnë rezultate zgjedhore, deformojnë verdiktin, vullnetin e sovranit! Të korruptuarit luajnë me dinjitetin e popullit duke i shitur forcë, dhunë dhe para! Zhgënjim dhe braktisje…populli po ikën! Por ka një masë kritike që po qëndron dhe kërkon llogari, s’ka më ç’të humbasë.
Kështu fqinji, lagjja, qyteti do fillojnë të shërojnë shurdhërinë e Drejtësisë ose me hir a pahir do ndërrojë Drejtësinë e Sëmurë me një Drejtësi të Shëndetshme! Korrupsioni nuk do jetë më një Mënyrë Jetese, nga një Modus Vivendi do të kthehet në një Modus Tollens (mënyrë Fshirjeje)!
Populli po kupton rëndësinë e tij, sidomos forcën e tij në luftën ndaj korrupsionit!
Ky është një mesazh që duhet ta mësojë çdokush, sidomos ata që janë në pushtet, duke filluar nga unë që jam Kryetar i Komunës të Gostivarit e deri tek Kryeministri i vendit, i këtij vendi që ka njerëz të varfër, të tradhtuar por gjithsesi Njerëz, Popull që po ju vjen laku në fyt ndaj të cilit duhet patur kujdes, shumë kujdes… unë dhe të gjithë ata që merren me fatet e tij!
(Autori është kryetar i Komunës së Gostivarit, njëherësh Sekretar gjeneral i Aleancës për Shqiptarët. Ky shkrim është shkruar enkas për gazetën KOHA)