Shkup, 24 shtator – Një varg shkeljesh dhe lëshimesh gjatë punësimeve në sektorin publik, nxjerr në pah analiza e “Transparensi Interneshënëll” e mbështetur nga Ambasada holandeze. 19 ligje për punësim kanë mundësuar shpallje diskrete, duke dhënë përparësi njerëzve të afërt me partitë dhe anashkaluar cilësinë dhe profesionalizmin. Pa respektuar procedurat janë bërë edhe avancimet. Për një administratë profesionale propozohen 50 rekomandime dhe 150 aktivitete.
“Konstatuam punësim joadektuan në institucione varësisht nevojave të politikës. Dikush ka numër pesëfish më të madh të të punësuarve. Konstatuam edhe institucione pa të punësuar. Masat dhe aktivitetet që propozojmë janë një udhërrëfyes që duhet zbatuar dhe vëzhguar.”,- tha kryetarja e “Transparensi Interneshënël” – Maqedoni, Sllagjana Taseva.
Analiza do të ndikojë në ndryshimin e ligjeve që do të mundësojnë proces fer gjatë punësimit. Nga ekzekutivi janë të hapur për bashkëpunim dhe paralajmërojnë reforma kapitale.
“Ideja e qeverisë është të ndërtohet një sistem që nuk do të shpjerë në korrupsion. Këtë javë, me urgjencë do t’i propozoj qeverisë revizion të ligjeve ku ka autorizime diskrete të ministrave dhe drejtorëve si dhe zbatim, kontroll të kodit etik të qeverisë.”,- theksoi zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit, Lupço Nikollovski.
“Rekomandimet vijnë në kohën e duhur. Të njëjtat do të shqyrtohen dhe do të ngërthehen në tekstet e reja ligjore për punësim të administratorëve.”,- theksoi ministri i shoqërisë informatike, Jeton Shaqiri.
Përpos kritikave drejtuar sektorin publik, Komisioni Antikorrupsion kundërshton propozimin për subvencionimin e punësimeve etnike në sektorin privat.
“Qëndrimi im, por besoj edhe i kolegëve është se nuk duhet të ketë subvencionime të tilla, pasi që në tregun e punës të gjithë jemi të barabartë.”,– u shpreh kryetarja e Komisionit Antikorrupsion, Biljana Ivanovska.
Edhe faktori ndërkombëtar drejton gishtin në luftimin e klientelizmit dhe nepotizmit me qëllim të mosikjes së kuadrit cilësor nga vendi.