Shkup, 25 dhjetor – Për 9 muajt e parë të këtij viti, nga të hyrat neto nga TVSH-ja Ministria e Financave ka grumbulluar 35.55 miliardë denarë ose 576.26 milionë euro, që sipas ministrisë përkatëse, janë realizuar 72.48 për qind e të hyrave nga TVSH-ja nga sa janë planifikuar deri në fund të këtij vitit. Kështu tregojnë të dhënat e publikuara në ueb faqen e Ministrisë së Financave për realizmin e të hyrave në buxhet për këtë viti, që i bie se mesatarisht në muaj në arkën buxhetore nga TVSH-ja kanë hyrë 64 milionë euro, shkruan gazeta KOHA. TVSH-ja është indikatori kryesor i harxhimeve të qytetarëve dhe në bazë të këtyre të dhënave të Ministrisë së Financave, del se më së shumti para qytetarët kanë harxhuar gjatë muajit korrik. Në muajin janar të hyrat në buxhet nga TVSH-ja kanë arritur shifrën prej 4.207 miliard denarë apo rreth 69 milionë euro Në muajin shkurt qytetarët e Maqedonisë nga harxhimet për konsum të përgjithshëm, kanë kontribuar që në arkën buxhetore të hynë nga TVSH-ja 3.682 miliardë denarë apo 59.6 milionë euro. Në muajin mars të hyrat nga TVSH-ja kanë arritur shifrën 4.277 miliardë denarë apo 69 milionë euro. Në muajin prill 4.387 miliardë, gjegjësisht rreth 70 milionë euro. Në muajin maj nga TVSH-ja janë inkasuar 4.295 miliardë denarë apo mbi 69 milionë euro. Në muajin qershor në kasën shtetëror kanë hyrë të hyra 2.540 miliardë denarë apo rreth 40 milionë euro. Në muajin korrik në arkën shtetërore qytetarët kanë injektuar 77,5 milionë euro vetëm nga tatimi i vlerës së shtuar (TVSH) dhe në këtë muaj janë realizuar të hyra më të mëdha në buxhet. Në muajin gusht të hyrat në buxhet nga TVSH-ja kapin shifrën prej 3.247 miliardë denarë ose rreth 55 milionë euro. Sipas këtyre të dhënave, më pak të hyra në buxhet nga TVSH-ja janë realizuar në muajin qershor, rreth 40 milionë euro, ndërsa në muajin korrik 77.5 milionë euro. Të hyrat në arkën shtetërore nga TVSH-ja, sipas ekonomistëve, janë tregues i aktivitetit ekonomik të popullatës, gjegjësisht qytetarëve, edhe atë në funksion të harxhimeve të konsumit të përgjithshëm të qytetarëve. Profesori i ekonomisë Hamit Aliu, shprehet se nëse i shohim të hyrat në buxhet sipas muajve, vërehet qartë se në muajin korrik arka shtetërore mbushet më së shumti. “Kjo është edhe një e vërtet tjetër se mbushës më të mëdhenj të arkës shtetërore janë ata qytetarët që jetojnë dhe punojnë jashtë shtetit. Korriku është muaji i pushimeve kur mërgimtarët vijnë në vendlindje. Pjesa më e madhe e këtyre mërgimtarëve janë shqiptarë, të cilët gjatë kohës sa rrinë për pushime në familjet e tyre, harxhojnë më shumë para për blerje të mallrave të ndryshme, pastaj janë dasmat e kështu me radhë. Pra, kjo fletë qartë se shqiptarët janë mbushës më të mëdhenj të arkës shtetërore”, thotë për KOHA, Aliu. Edhe Arben Halili, ekspert ekonomik, shprehet se buxheti mbushet nga tatimet dhe pjesa ma e madhe e të hyrave në buxhet janë nga TVSH-ja, gjegjësisht para të qytetarëve si shpenzues më të mëdhenj të konsumit të përgjithshëm. “Pa dyshim se pjesa më e madhe e të hyrat në arkën shtetërore janë të hyra nga paratë e qytetarëve për shpenzimet që ata bëjnë për blerje të mallrave të ndryshme. Këto para që grumbullohen nga TVSH-ja e qytetarëve dhe kompanive, rreth 50 për qind shkojnë për pagesa të pensioneve, transfertave sociale, ndërsa shumë pak destinohen për zhvillim ekonomik apo për investime kapitale”, thotë Arben Halili, ekspert ekonomik. (koha.mk)