Korrigjimin e kufijve o kundërshtojnë 75 përqind e qytetarëve të Kosovës

Derisa për më shumë se një vit debati kryesor në Kosovë po zhvillohet rreth mundësisë së korrigjimit të kufijve, një anketë e zhvilluar nga Instituti “Ridea” del se mbi 75 për qind e të anketuarve janë kundër kësaj ideje.

Madje, shqiptarët nuk duan korrigjim edhe nëse si këmbim Kosova fiton njohje globale dhe hapje të rrugës për anëtarësim në OKB, raporton KTV, njofton gazeta KOHA.

69 për qind e të anketuarve janë për bashkimin e Luginës me Kosovën, e kategorikisht kundër që Ujmani, Trepça e tri komuna të veriut t’i takojnë Serbisë.

Këto rezultate u bënë publike këtë të mërkurë në tryezën “Zëri i popullit, rreth finales së madhe në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se nëse Kosova dhe Serbia nuk arrijnë këtë vit marrëveshje finale, mund të destabilizohet rajoni.

Presidenti ka thënë se në takimin e liderëve ka propozuar draft-rezolutë për të mbështetur bashkimin e Luginës me Kosovën, derisa e ka quajtur të rrezikshme idenë e një konference siç ka propozuar Ramush Haradinaj.

Por, aty i është tërhequr vërejtja nga Albin Kurti e Fatmir Limaj se për territorin nuk mund të negociojë askush.

Aty Nenad Rashiq, politikan serb i Kosovës pati pyetje për presidentin.

Në këtë panel ishte paraparë të merrnin pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj e Shpend Ahmeti, por nuk ishin të pranishëm aty. (koha.mk)