Athinë, 10 janar – Mësimdhënësit dhe profesorët në ligjërata të shmangin materiale që përmbajnë irredentizëm, nga librat të hidhen poshtë simbolet antike greke dhe hartat e Maqedonisë së Madhe, ishin tre kërkesat e palës greke në takimin me kolegët ekspertë të vendit tonë, brifojnë burimet zyrtare diplomatike greke, njofton Agjencia Shtetërore e Lajmeve të Maqedonisë, transmeton Koha.
Takimi i parë i Komitetit të përbashkët interdeisiplinorë të ekspertëve nga Maqedonia dhe Greqia për çështje historike, arkeologjike dhe arsimore i mbajtur në nëntor në Selanik ka kaluar në një klimë shumë pozitive, ndërsa burimet diplomatike greke thonë se ekspertët e Maqedonisë në krye me ish-ambasadorin Gaber “ishin në kuadër të klimës që është përcaktuar nga nënshkrimi i marrëveshjes nga dy shtetet dhe qartë i obligon vendet të mos ekzistojnë aspirata irredentike dhe revizioniste nëpër libra”.
Takimi i dytë do të mbahet gjatë këtij muaji në Maqedoni , ndërsa në takimin e parë pasi anëtarët e komitetit u dakorduan për rregullat për zhvillimin e bisedimeve dhe procedurave, pala greke në tavolinë i vendosi tre çështje.
“Së pari thamë se pala tjetër do të duhet të kujdeset për udhëzimet që do t’u jepen profesorëve dhe mësimdhënësve që mësimi në vitin e ri mësimor të jetë i atillë që madje edhe të korrigjohen librat, të mos ligjërojnë materiale që përmbajnë irredentizëm ose revizionizëm. E dyta, nga librat të hidhen poshtë çfarëdo simbole antike greke të ekzistojnë ose veçanërisht simbole të maqeonizmit antik grek, të cilat për shkak të kontaktit optik dhe si fotografi ndikojnë tek fëmijët. E treta që e thamë është natyrisht që të largohen hartat të cilat e përshkruajnë Maqedoninë e Madhe”, sqarojnë burimet zyrtare diplomatike greke.
Shtojnë se pas marrëveshjes së parë dhe pasi do të sigurohen tre kërkesat do të fillojë me radhë revizioni i librave.
Burimet e njëjta thonë se pala maqedonase nuk ka pasur kërkesa konkrete nga kolegët grekë “sepse librat greke nuk përmbajnë irredentizëm, sepse nuk është e paramendueshme një vend anëtar i BE-së të ketë diçka të tillë në libra”.
Burimet diplomatike greke, potencojnë se Greqia me vetë iniciativë do të bëjë ndryshim në hartat e tyre për t’i harmonizuar me rregullat ndërkombëtare.
Qëllimi, sipas burimeve diplomatike greke është që librat nga viti i ardhshëm të lirohen nga irredentizmi. Thonë se edhe po të mos ekzistonte neni konkret në Marrëveshjen e Prespës, revizioni do të ishte pjesë e kapitullit për anëtarësim në Union.