Gjithsesi, duhet të mobilizohemi që në 12 prill të pastrohemi nga BDI-ja! Ne jemi terapia që do të shpëtojë vendin nga një patologji që ka 18 vjet që gërryen jetën tonë, që ushqehet me gëzimin tonë, që ka marrë peng të drejtat tona dhe na i shet vetëm në këmbim të votës dhe të bindjes! Terapia gjendet në duart e secilit nga ne, le t’a aplikojmë në 12 prill e të gjithë do jemi të lirë, për të filluar ndërtimin e një shteti që mban popullin e vet si kryefjalë të ekzistencës të tij
Nga Dr. Arben TARAVARI
Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH-ja thënë shkurtimisht, deklaroi të mërkurën e 11 marsit gjendjen e pandemisë globale shkaktuar nga një virus i cili në masën e gjerë njihet me emrin sa monarkik po aq edhe të frikshëm Koronavirus! Në fakt bëhet fjalë për një virus që është vëllai më i vogël i SARS-it, është më i shpejtë se sa të gjithë anëtarët e tjerë të familjes së tij që zakonisht kërkojnë të pushtojnë mushkëritë, por pavarësisht defektit dhe tmerrit që media sociale ka injektuar në të gjithë rruzullin, duket se ky virus nuk e ka indeksin e vdekshmërisë aq të lartë sa SARS-i apo MERS-i, të paktën nga të dhënat e deritanishme që dëshmon zyrtarisht OBSH-ja.
Tani meqë jemi tek të dhënat, le t’i hedhim një sy pikërisht atyre. Në momentin që po shkruaj ka mbi 126.000 raste, ndryshe thënë persona të infektuar në të gjithë botën, ka mbi 4600 të ndërruar jetë, këtu duhet të mirëkuptoni kolegët e mi mjekë që e thonë pa saktësi numerologjike shifrën e personave të vdekur nga ky virus, por gjendja nën zhvillim dhe nuk është fare e mundur të mbash statistika të qarta mbi efektet e pandemisë gjatë kohës që kjo ndodh. Shifra e fundit që është edhe më optimistja është se 68 000 mijë persona janë tashmë të shëruar. Shifër kjo e cila premton shumë për përmirësimin e gjendjes, por… gjithçka varet nga njerëzit.
Vini re me kujdes: jo nga njeriu, por nga njerëzit! Kështu bota është çuar në këmbë dhe po reagon me ashpërsinë maksimale ndaj virusit mikroskopik që nuk kërcënon njerëzimin por ama rrezikon një pjesë shumë të rëndësishme të tij si janë personat me sëmundje kronike apo personat mbi 60 vjeç. I madhi dhe i vogël është çuar në këmbë, kush si ushtar e kush si gjeneral, sepse ky virus nuk mund të kërcënojë asnjë qytetar të këtij planeti që këto ditë duket më i vogël se kurrë, më në panik se kurrë por edhe më heroik se kurrë…dhe të mendoni se para 7.8 miliardë tokësorëve shifra e të prekurve nuk është asgjë, por ne kemi privilegjin të jetojmë në një epokë ku fal Zotit, forcat më të mëdha që drejtojnë një pjesë të mirë të globit, nuk i konsiderojnë më njerëzit shifra, dhe para jetës së njeriut vdes matematika! Jetët e njerëzve nuk justifikohen me ekuacione matematikore! Në këtë gjendje ankthi për të cilën ju siguroj që do të marrë fund shumë shpejt, ndoshta edhe sepse profesioni im i mjekut më bën të njoh më mirë natyrat e viruseve, gjithsesi edhe pse nuk jam as virolog dhe as infektolog, jam neurolog, por përsëris me konfidencë të plotë se gjithçka do të mbarojë shumë shpejt! Ka gjëra të tjera të cilat duhen luftuar dhe mobilizuar që të zhduken pikërisht sepse rrezikojnë më shumë se virusi.
Prej 18 vitesh në pushtet partia e BDI-së është shkaktare për zhdukjen e qindra e mijëra njerëzve nga vendlindja e tyre! BDI-ja ka marrë pjesë në infektimin e arsimit duke bërë që të rreshtohemi me turp si një nga shtetet me arsimin më të dobët në botë! BDI-ja për 18 vjet ka rritur e forcuar kultin e individit duke e bërë Ali Ahmetin diktatorin e këtyre trojeve, dhe 2-3 funksionarë të saj janë despotët e vërtetë!
Virusi korona ka 4 muaj që ka shqetësuar botën, BDI-ja ka plot 18 vjet! Deri tani laboratorët e gjithë botës ja kanë shtuar natën ditës duke studiuar rrugë terapike ose parandaluese ndaj virusit korona, kurse ne e dimë dhe e kemi shumë të thjeshtë si të shërohemi dhe mbrohemi nga BDI-ja: 12 prill quhet vaksina!
Me një votë secili atë ditë do të bëhet pjesë e ekipit mjekësor që do të shpëtojë vendin nga BDI që ka 18 vjet që e mban këtë shtet peng, e përdor këtë popull si monedhë për pazaret e veta! Në 12 prill është dita kur laboratori njerëzor mund të dalë nga xhepat e sirtaret e BDI-së. Për 18 vjet njësoj si në një eksperiment njerëzor, kjo parti ka skeduar jetët tona, ka mbajtur shënim për sjelljen tonë, ka njohur pikat tona më të dobëta dhe i ka shfrytëzuar! Do ju duket ndoshta e çuditshme por unë mendoj që populli shqiptar është në mos i pari, sigurisht një nga popujt më të ndershëm në botë. Po! Këtë e kuptoi BDI-ja, këtë e përdori BDI-ja! Nisi të gënjente popullin dhe ne i besuam, pasi ne nuk kemi trashëguar zakone mashtrimi nga të parët tanë, ndaj i besuam burrave që një herë na çuan në mal e pastaj na çuan ja në mërgim, ja në burg ose ja në persekutim! Nuk ka gjë më të rëndë se të të marrin dinjitetin, e ndërkohë që virusi korona të sulmon mushkëritë vetëm në rastet më të rënda, BDI-ja ka 18 vjet që sulmon në 100% dinjitetin e individit! Nuk ka asnjë person tashmë që ndihet i respektuar, i lirë apo i përmbushur nga BDI-ja.
Gjithsesi, duhet të mobilizohemi që në 12 prill të pastrohemi nga BDI-ja! Ne jemi terapia që do të shpëtojë vendin nga një patologji që ka 18 vjet që gërryen jetën tonë, që ushqehet me gëzimin tonë, që ka marrë peng të drejtat tona dhe na i shet vetëm në këmbim të votës dhe të bindjes! Terapia gjendet në duart e secilit nga ne, le t’a aplikojmë në 12 prill e të gjithë do jemi të lirë, për të filluar ndërtimin e një shteti që mban popullin e vet si kryefjalë të ekzistencës të tij.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)