Drejtoresha e tatimeve Delina Ibrahimaj u shpreh në një intervistë me Skype për Report TV se situata e krijuar nga koronavirusi po ndjehet në ekonominë shqiptare, pasi ka ulur të ardhurat. Konkretisht me shifra, Ibrahimaj tha se aktualisht janë ulur të ardhurat mujore të shtetit nga 20 deri 30%. Për biznesin e vogël, qeveria pak ditë më parë bëri publike paketën ekonomike, por për sipërmarrjet e mëdha Ibrahimaj deklaroi se ende nuk ka një vendim.
“Një grup teknik është duke vlerësuar situatën dhe është duke menduar se çfarë do të ndodhë nëse situata do të përkeqësohet, por për momentin nuk ka një vendimmarrje të tillë“.
Delina Ibrahimaj sqaroi edhe procedurën si do të paguhen punonjësit e biznesit të vogël, që përfitojnë nga paketa social-ekonomike.
“Në e-filing, që është portali i pagesës së taksave, te një hapësirë e veçantë e cila quhet “çështjet e mia”, po zhvillohet një pyetësor, i cili është pyetësori standard që i është bashkëlidhur VKM-së. Pyetësori do të jetë aty, do të jetë i parambushur automatikisht për të gjitha bizneset e kësaj kategorie dhe për subjektet që janë nga 0 deri në 5 milionë lekë siç e parashikon VKM-ja, do të parambushet me të dhënat e listë-pagesës së dorëzuar në muajin dhjetor. Ndërkohë që për bizneset që janë mbi 5 milionë lekë, pra nga 5 deri në 14 milionë lekë, do të parambushet me të dhënat e listë-pagesës së muajit janar.
Gjithashtu aty do të reflektohen të gjitha lëvizjet që mund të kenë bërë këto biznese deri në datën 10 mars, kur është pezulluar aktiviteti. E vetmja e dhënë që biznesi duhet të plotësojë vetë, është e dhëna e IBAN-it, pasi këto fonde do të kalojë direkt në llogarinë e punonjësit. I bëj thirrje të gjitha bizneseve që do të aplikojnë që të jenë shumë të kujdesshme me të dhënat, pasi një gabim do të penalizonte të punësuarit e tyre. Megjithatë, ne do të publikojmë detaje më të hollësishme në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ditën e hënë, me qëllim që të jenë të gjithë të qartë se si do të funksionojë dhe që procesi të ketë sa më shumë lehtësi e të zgjasë sa më pak” tha ajo.
E pyetur nëse një biznes i vogël që ka gjoba të papaguara, përfiton nga kjo paketë, Ibrahimaj deklaroi se “Ne jemi duke vlerësuar. Sigurisht që kjo është një masë, e cila synon të mbështesë fillimisht të punësuarit dhe pastaj nëpërmjet tyre edhe bizneset. Nuk do të merren parasysh penalitetet që lidhen me këtë periudhë të keqe“.
Sa i përket atyre që punojnë në të zezë, drejtoresha e Tatimeve ishte e qartë kur tha se “kush punon në të zezë nuk përfiton nga ndihmat sociale dhe financiare që jep qeveria. Ne mendojmë që një pjesë e atyre të punësuarve në të zezë apo familjarëve të tyre, do të mbështetet nga forma të tjera të mbështetjes që qeveria ka menduar, pra nëpërmjet ndihmës sociale apo pagesës së papunësisë për ndonjë familjar tjetër. Është e pamundur për ne që të identifikojmë punonjësit që punojnë në të zezë apo të vërtetojmë që ata realisht kanë qenë punonjës në të zezë“.
Në këtë periudhë janë disa abuzues që kanë përfunduar në prokurori dhe janë gjobitur, por kush janë shkelësit më të mëdhenj? “Nga kontrollet është verifikuar që në fakt, në pjesën më të madhe të rasteve, çmimet nuk janë rritur nga tregtarët me pakicë, por janë rritur nga tregtarët me shumicë dhe kjo na ka detyruar që të kontrollojmë të gjithë zinxhirin dhe të shkojmë te furnitorët, ku kemi evidentuar rritje të çmimeve dhe ia kemi kaluar organeve përkatëse për vlerësim dhe për marrjen e masave“.