Huangang, 29 janar – Koronavirusi është përhapur edhe në qytetin Huangang, deklaroi sot guvernatori i provincës kineze, Hubei, Vang Siodong, duke paralajmëruar se qyteti nuk duhet të lejohet të bëhet Vuhan i ri, epiqendra e virusit vdekjeprurës, prej të cilit e humbën jetën 132 njerëz.
Huangang, në të cilin jetojnë 7,5 milionë njerëz, është një prej dhjetë qyteteve që janë mbyllur pothuajse plotësisht, në përpjekje të autoriteteve kineze për ta ndaluar përhapjen e virusit.
Ky qytet deri në fund të ditës së djeshme konfirmoi pesë raste të vdekjes dhe 324 persona të infektuar, me ç’rast është qyteti më i goditur pas Vuhanit.
Të dy qytetet janë rreth 70 km larg dhe janë të vendosura në provincën Hubei, që është në pjesën qendrore të Kinës me rreth 60 milion banorë dhe momentalisht është plotësisht i bllokuar. Guvernatori në pres konferencë theksoi se kompanitë në provincat nuk guxojnë të punojnë deri më 13 shkurt.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha sot se qeveritë vetë duhet të vendosin se a do t’i evakuojnë shtetasit e tyre nga provinca kineze.(koha.mk)