Koronavirusi, nga “Kthimi në Kohë” te “Jeta jashtë kohës”

203

Gjithë ky ndryshim do ndodhë falë koronavirusit Kovit-19. Mbase ajo ditë kishte mund të ndodhë edhe pa këtë fatkeqësi, por shumë më ngadalë dhe më vonë. Pas çdo të keqe fshihet një e mirë. Le ti shohim anët e mira në gjithë këtë të keqe

Nga Rizvan SULEJMANI

5 prill 2020. Jetojmë në “kohën e Korona Virusit”. Cila është kjo kohë, si mund të definohet? Jemi “kthye prapë në kohë”, jetojmë “vitin 1420”! Sot po sikur atëherë sundohemi nga pushtetarë të gjithëfuqishëm, pasi kemi shpallë gjendje të jashtëzakonshme dhe i gjithë pushteti është bartë në duart e tyre, pa kritikë, pa debat dhe mundësi për të kundërshtuar e protestuar. Kemi mbyll kufijtë shtetërorë dhe jemi barikaduar po si në kështjellat e mesjetës. Nuk flitet për jetesë po si në atë kohë vetëm për mbijetesë. Jemi në gjendje lufte, këtë çdo ditë na përkujtojnë pushtetarët e gjithë fuqishëm por nuk e dimë as nga vinë sulmi dhe as kush është armiku. Pasi nuk e dimë nga vinë, po sikur atëherë kemi kthyer kokën ka qielli ka forcat kosmologjike që asokohe e kishim definuar si Zot.

Diapazoni i lëvizjes kap perimetër jo më shumë se disa kilometra prej shtëpisë deri në shitore, në barnatore, eventualisht në punë (kush punon) dhe së fundi presim kur do të na vijë rendi të shkojmë te mjeku, spitali, dhe .. Sikur në vitin 1420 kur lëvizjet e njeriut ishin prej shtëpisë te ara, mulliri, kovaçi, kisha/xhamia dhe mbaronim te varrezat si destinacion i fundit. Flasim për të njëjtat gjëra, a do të mund të mbijetojmë, kush do të rrojë e kush do të vdes. Qytetit më të afërt në distancë prej 40 kilometra na duket po aq larg sa para 100 vjetëve ngase është ndërpre qarkullim urban e ndërurban, kurse vetëm para një muaj ishim aty për gjysmë ore. Shkuarjen në Gjermani, Francë, Angli është e paimagjinueshme sikurse në vitin 1420 ngase janë mbyllur aeroportet, që vetëm një muaj më herët nuk na duhej më tepër se dy deri më tre orë. Për Amerikën Jugore, Australinë, Japoninë, Indinë e Kinën e vendet tjera në Afrikë pothuajse nuk dimë se ekzistojmë po sikur atëherë pasi kush nuk i përmend.

Fjalori i komunikimit është reduktuar në ca fjalë,si; Koronavirus, Kovik 19, izolim, ushqim, barna, ilaçe, sa vdiqën e sa mbijetuan.. Po aq i varfër dhe i mërzitshëm saqë ma kujton fëmijërinë time kur fjala e parë ishte si je, a je gjallë, a je mirë, a e ke bë bukën, zahirenë, a ke bë dru … Përjetuam atë që kur më parë njerëzimi nuk e kishte përjetuar “kthimin në kohë” që vetëm iluzionistët e trentë na alarmonin se është e mundur kurse ne të “diturit, racionalët, mirë të informuarit” i quanim të marrë, skizofren e idiot .. Si mundte koha të kthehet pas..? Vetëm lëvizja në kohë ka një drejtim…! Por ja që ndodhi!

A është kjo e tëra? Gjithsesi se jo! Ka shkrime dhe do të vazhdojë të ketë rreth pasojave e këtij virusi si në aspektin shëndetësorë njashtu edhe në atë ekonomik, psikologjik, gjeopolitik dhe të filozofisë politike. Ka parashikime optimiste por pjesa më e madhe janë pesimiste që parashohin pasoja fatale. Pa marrë parasysh dallimet të gjithë në një gjë pajtohen, “bota kurë më nuk do të jetë si ka qenë”. Ndryshimi do të jetë i madh po si ai i Abrahamit (Ibrahimit) që ndaloj sakrifikimin e fëmijëve duke e zëvendësuar me sakrifikimin e shtazëve me çka u vendosën bazat e monoteizmit që edhe sot e kësaj dite mbijeton. Po si të Mojsiut (Musës) që solli ligjin përmes marrëveshja nga do të inspirohet shteti ligjorë modern. Si në kohën i Juzu Krishtit (Isës) që lirojë njerëzit nga kolektivizmi për ti lënë hapësirë individit, nga gjetën burimin të drejtat njerëzore në kohën e industrializimit. Si në kohën e Muhamedit me të cilën mbaroj vargu i profetëve për ti lënë hapësirë individit ta gjejë vet të vërtetën pa udhërrëfyes dhe ndërmjetësues si parakusht për studim.

Jam i bindur se pas furtunës kthjellet koha që do sjellë ndryshime rrënjësore me përmasat e këtyre konteksteve historike pasojat e të cilës do ndihen më gjatë. Do të harxhohen tona e tona letra dhe do të mbushen pakufi memorie kompjuterike në studim dhe inovacione të ndikuar nga kjo situatë që në fund njeriun do ta nxjerrë në dimensionin e tretë “jashtë kohës dhe hapësirës”. Cili është parashikimi im? Si do të ndodhë kalimi?

Pasi jetojmë në “vitin 1420” për të ilustruar situatën do të përdorim një shembull të kësaj kohe. Për momentin, “jemi tërhequr prapë në kohë” po sikur kur tërhiqet llastiku i çatallit në të cilin kemi vendosur gurin për ta hedhë atë më larg dhe shumë më shpejtë. Por ka një dallim. Nëse atëherë përdornim grepin për të gjuajtur zogj, shpezë, për ushqim, sot “kthimin në kohë” e përdorim, apo do ta përdorim, për një shtytje shtesë që të kalojmë hendekun dhe gjendemi në dimensionin e tretë për të jetuar në “jetën jashtë kohës dhe hapësirës”. Këtë për momentin nuk e hetojmë përderisa jemi në “vitin 1420” por forcat për ne të padukshme, veprojnë. Cilat janë ato forca?

Përskaj faktit se jetojmë jetë të mbyllur e të izoluar me shpejtësi marramendëse zhvillohet komunikimi, mësimi, pagesa, porosia e shërbimi instant dhe në distancë. Puna në ambient shtëpiak sot është imponuar por me kohë do bëhet praktikë dhe mënyrë e jetesës.  Zhvillimi përskaj në shkencat e mjekësisë do të avancojë në komunikim, përpunim të dhënash lidhje ndërmjet njerëzve, institucioneve dhe qendrave të përpunimit të të dhënave. Këta forca pa e kuptuar ne na ndryshojnë jetën. Një shembull. Djali im është në Londër në studime dhe pasi janë ndaluar fluturimet nuk mund të vijë dhe as unë të shkojë. Por për çudi çdo ditë e më tepër komunikojë. Mos më tepër për ta bërë jetën më interesante nëna e vet në wiber, me orë të tëra i mëson mjeshtërinë e kuzhinës pasi nuk mund të dalë të hajë në mezen e studentëve. Kjo në Shkup ai në Londër, përgatisin ushqimin bashkë, live.. Për më tepër, siç përparon Korona Viruesi përparojnë edhe teknikat e kontrollit të njerëzve të infektuar me këtë virus përmes telefonave celularë, që e përcaktojnë vendin ku gjendet, lëvizjen e tyre si dhe kush me kë komunikon… Teknologjia 5G bën çudira dhe pritet të bëj edhe më përmes inteligjencës artificiale. Shërbimet, pagesat dhe puna on-line përparojnë me shpejtësi marramendëse. Nuk do të kalojë shumë kohë dhe qendra të fuqishme përmes inteligjencës artificiale do të marrin nën kontroll tërë jetën njerëzore duke ditë në çdo moment ku gjendemi, me kë komunikojmë, çfarë blejmë nëpër shitore çfarë hamë nëpër kafene… Mund ta imagjinojë se si do të duket jeta e nipit tim që do të lind diku pas dhjet viteve (pasi ende jemi në dimensionin kohë) kur do ti ketë diku 40 vjet. Nuk jam i sigurt por ndaj bindjen se po sikur hebrenjtë dikur që në muajt e parë të lindjes bënin aktin e sunetisë në shenjë besëlidhje me Zotin si popull i zgjedhur ati do ti duhet të instalojë çipin e mikroprocesorit që ta lidhë “jo me Zotin” por me qendrën e inteligjencës artificiale e cila do ta kontrolloj në tërësi pasi do regjistroj jo vetëm vendin ku gjendet por edhe gjitha veprimet dhe përjetimet.

Bartja e informatave do të bëhet jo përmes 5G-s por 7apo 10G-s. Kur nipi im sipas “kohës sonë” do të jetë 40 vjeçar ai do të jetojë jashtë konceptit kohë dhe hapësirë. Për ata që e kanë problem të kuptojnë kthimin në kohë apo ecin para kohës do ju sugjeroja të bëjnë një provë. Le të mundohen tu shpjegojnë fëmijëve 7 vjeçar që nuk e dinë dhe as që mund ta imagjinojë kohën para jo ma larg se 50 vjet kur matematika është mësuar me kokrra groshe dhe numërator dhe jo me kompjuter. Le të mundohen tu shpjegojnë se 50 vjet më parë vetëm 1% e moshatarëve të tyre e kishin parë Shkupin mos të flasim për Tetovën e Gostivarin edhe se jetonin diku 20 kilometra larg qendrës së tij. Po aq e pakuptim sot është ta paramendoni jetën njerëzore pas 50 viteve “sipas kohës sonë” kur hapësira dhe koha do të humb kuptimin. Nipi imë në moshën 50 vjeçare me 10G teknologjinë, do të jetojë me mikroprocesorin e futur në trup në shtëpi inteligjente i mbikëqyrur nga 3D kamera, mbi të cilën do të fluturojnë fluturake inteligjente pa njerëz po sikur sorrat në kohën time që paralajmëronin prishjen e kohës, por do të japin shërbime në ushqim, bartin njerëz dhe mallrat e nevojshëm. Ai nuk do të duhet as të marr telefonin celular në dorë që të porosisë apo rregulloj ambientin jetësorë por mikroprocesori i instaluar në trupin e tij do të regjistrojë kërkesat dhe nevojat sa fiziologjike aq ndjenjësore. Kur trupi do të ndjej të ftoftë apo të nxehtë mikroprocesori automatikisht do ta aktivizoj klimatizuesin për të rregulluar temperaturën pa pas nevojë të lëvizë rregullatorin.

Kur do të ndjejë uri, varësisht dhe çka do ti hahet mikroprocesori do të lidhet me qendrën e furnizimeve e cila do të kërkoj gjitha magazinat e ushqimoret, pa dallim në cilin kënd të qytetit gjenden në kohë rekorde me fluturake automatike do t’ia sjellë në vendin ku ai ndodhet. Kur do të ketë nevojë të zbavitet në ndonjë papë të Londrës apo Parisit me 3D teknologjinë do të gjendet në atë mes të hareshëm dhe bashkëndjejë kënaqësinë me të tjerët. Nëse ndoshta do ta ndjejë nevojën të përjetojë kënaqësinë shkretëtirës së Saharës, nuk do ti duhet të kërkojë agjenci turistike qofte edhe përmes internetit por gjithë këtë do ta bëjë mikroprocesori i tij që do të lidhet për qendrën e inteligjencës artificiale. Çdo shërbim aty e menjëherë, koha nuk ka kuptim. Çdo do largësi bëhet e afërt. Nuk ka kohë nuk ka hapësirë. Jemi në çdo cep të botës aty dhe menjëherë.

Gjithë ky ndryshim do ndodhë falë koronavirusit Kovit-19. Mbase ajo ditë kishte mund të ndodhë edhe pa këtë fatkeqësi, por shumë më ngadalë dhe më vonë. Pas çdo të keqe fshihet një e mirë. Le ti shohim anët e mira në gjithë këtë të keqe. (koha.mk)

Comments are closed.