Mediat, duke kritikuar qeverinë për neglizhencë të situatës, kanë vënë në pahë se disa spitale nuk janë të përgatituara për situatën e rëndë që e pret vendin. Në disa raste është bërë me dije se mjekëve iu mungojnë edhe përgaditjet themelore mbrojtëse siç janë maskat dhe rrobat adekuate
Dr. Daut DAUTI/Londër
Virusi vdekjeprurës Korona duket se në Britani të Madhe është duke u shtrirë pa ndonjë pengesë serioze. Rajonet më të sulmuara janë Londra dhe Anglia jug-lindore. Numri i të vdekurve ka arritur shifrën 335 me tendencë të rritjes të dukshme gjatë ditëve të ardhshme.
QASJA E GABUESHME E BORIS JOHNSONIT
Masat që ka ndërmarrë qeveria britanike janë duke u konsideruar si të vonshme dhe të pjesshme dhe kjo është arsyeja që kritika është duke vazhduar nga opozita, mediat dhe opinioni publik. Në realitet qeveria ende nuk ka lëshuar asnjë urdhëresë pos vendimit për mbylljen e shkollave. Masat janë të vonshme dhe joefikase për shkak se qëllimi i kryeministrit është i dyanshëm. Boris Johnson, edhe më tutje, me këto masa dëshiron ta ruaj ecjen e ekonomisë por dhe shëndetin e qytetarit. Ky veprim i dyfishtë është duke u treguar si problematik. Pasi që kjo qasje nuk është duke dhënë rezultat, opozita është duke bërë thirrje që masat të jenë të shpejta dhe adekuate.
Mediat, duke kritikuar qeverinë për neglizhencë të situatës, kanë vënë në pahë se disa spitale nuk janë të përgatituara për situatën e rëndë që e pret vendin. Në disa raste është bërë me dije se mjekëve iu mungojnë edhe përgaditjet themelore mbrojtëse siç janë maskat dhe rrobat adekuate. Sistemi shëndetësor britanik ka kohë që kritikohet për mungesa serioze që pengojnë kryerjes së detyrës në mënyrë adekuate.
Megithatë, qeveria insiton se është duke bërë tërë atë që është e mundshme dhe është zotuar se 1. 5 milionë njerëzit e rrezikuar që do të goditen për vdekje, do ta kenë mbrojtjen e nevojshme. Por, nuk duket se për këtë kategori të pafat është bërë diçka më shumë se sa këshillimet. Më se 20 000 mjekë dhe infermiere që janë pensionuar tri viteve të fundit janë ftuar që të kthehen në punë për të zbutur mungesën që po hetohet dukshëm. Po kaq ushtarë qëndrojnë të gatshëm që t’i dalin në ndihmë qeverisë në zbatimin e programit të saj emergjent. Por, gjithçka duket se është duke u bërë ngadalë përkundër virusit që po shpërndahet shpejt.
A DO TË REPRIZOHET ITALIA NË BRITANI TË MADHE?!
Përkundër këshillave që të evitohet vdekja masive, për aq sa është e mundshme, duket që një masë e njerëzve janë duke shprehur mosbindje në këtë drejtim. Këshillat që të evitohen kontaktet publike dhe sociale nuk janë duke dhënë rezultat. Gjatë uikendit mijëra njerëz kanë mësy parqet e qyteteve dhe bregdetin për shetitje. Një dukuri të këtillë është duke e ndihmuar edhe transporti publik i cili ende është në funksion përkundër kritikave që ai duhet të mbyllet. Trenat ende qarkullojnë të stërngarkuar me njerëz, e cila gjë është kundër këshillave të qeverisë që njerëzit të mbajnë distancë sociale. Mosbindja e këtillë ka shtyrë sot kryeministrin që të ‘kërcënohet’ me masa të reja dhe strikte. Sidoqoftë, ditët e ardhshme janë kritike dhe në masë mbretëron frika nëse Britania e Madhe do ta kaloj këtë epidemi vdekjeprurëse më keq apo më mirë se Italia.