Ambasada gjermane në Tokio ka lëshuar kritika të ashpra ndaj qeverisë japoneze lidhur me përhapjen e koronavirusit brenda vendit, duke e akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Japoninë për falsifikim të shifrave zyrtare. “Shkalla zyrtare e infeksionit në Japoni nuk mund të besohet. Për shkak të shkallës së ulët të testimit, ka të ngjarë që të ketë një numër të lartë të rasteve që nuk janë raportuar”, paralajmëroi ambasada në një deklaratë të botuar në faqen e saj të internetit këtë javë, drejtuar shtetasve gjermanë në Japoni.
“Testimi është ende i disponueshëm vetëm për njerëzit që janë shumë të sëmurë (ata që kanë ethe të larta për të paktën katër ditë), si dhe faktorë të tjerë (të tilla si kontakti me njerëz të tjerë të infektuar ose ata që kthehen nga zonat me rrezik të lartë).” Një zëdhënës në Ministrinë e Jashtme të Japonisë nuk pranoi të komentojë mesazhin, megjithëse Stephen Nagy, një profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Ndërkombëtar të Krishterë në Tokio, tha se ai ishte jashtë kushteve të zakonshme të protokollit diplomatik.
“Ky është një veprim i pazakontë nga Gjermania, e cila ka marrëdhënie të mira me qeverinë japoneze,” tha Nagy. “Duhet të jetë një mënyrë për të kërkuar më shumë transparencë nga pala japoneze, pasi Gjermania ka një ndjeshmëri ndaj gjithçkaje që duket se është autoritare ose jodemokratike.” Publiku dhe media japoneze kryesisht nuk po e diskutojnë shkallën e problemit të koronavirusit, edhe pse autoritetet kohët e fundit kanë pranuar një rritje të rasteve të reja.