Shkup, 31 mars – Klubi i njohur sllovak i futbollit, MSK Zhilina, ku luan edhe futbollisti shkupjan Besir Demiri ka bankrotuar. Kjo është bërë e ditur nga veti klubi ditën e hënë, përcjellë gazeta KOHA.
Nga ky klub të hënën kanë lëshuar një komunikatë përmes të cilës kanë njoftuar për situatën e vështirë në të cilën gjendet klubi. Po ashtu është bërë e ditur se të gjithë lojtarët duhet të kërkojnë skuadër të re, pasi MSK Zhilina do të futet në proces të likuidimit. Puna e klubit zyrtarisht do të përfundojë më 30 prill të këtij viti, ndërsa lojtarët prej asaj date, pavarësisht kontratave që i kanë, mund të kërkojnë skuadra të reja.
Në këtë vendim ka ndikuar pamundësia për të arritur marrëveshje me lojtarët për ulje të pagave për shkak të pasojave të përhapjes së virusit korona. Pasi klubi ka qenë në vështirësi për kohë të gjatë, është vendosur që likuidimi është opsioni i vetëm.
MSK Zhilina ka fituar shtatë tituj të kampionit të Sllovakisë, ndërsa aktualisht është në vendin e dytë. (F.N)