Punëtorët turistik kërkojnë një bashkëpunim më të madh me institucionet e shtetit me qëllim që së bashku të tejkalohet kjo situatë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 29 shkurt – Esnafi i turizmit në vend kërkon nga shteti një angazhim më të madh institucional për të ulur dëmet që mund të shkaktojë paraqitja e Koronavirusit në Evropë. Mbi 100 agjenci turistike përmes Odës së Turizmit kanë kërkuar nga ekzekutivi që intervenojë në ato fusha ku ka mundësi për të zbutur dëmet e kësaj dege të rëndësishme ekonomike.
“Si Odë e turizmit kërkojmë nga Ministria e Transportit që të parashtrojnë kërkesë deri tek Viz Er që udhëtimet e paguara në grup për në Itali të anulohen për ndonjë termin tjetër apo të zhdëmtohen udhëtarët. Duke marrë parasysh se kjo kompani me vite merr subvencione të mëdha nga shteti, besojmë se kjo kërkesë e jona nuk është e pabazë”, thotë kryetari i Odës së Turizmit të Maqedonisë, Emil Dimitrovski. Sipas tij, mbi 100 agjenci turistike anëtare të kësaj ode nuk do të organizojnë udhëtime në grup në Itali për festat e tetë marsit dhe festat e kërshëndellave.
Sipas tij, udhëtarët që nuk do të udhëtojnë pritet të zhdëmtohen sipas marrëveshjeve, apo do t’ju paguhet së paku 50 për qind e shumës. Dimitrovski shton më tej se nuk duhet krijuar panik për situatën e krijuar për shkak se turizmi ka tejkaluar edhe situatat me virusin sars dhe tjera, mirëpo shton se po vërehet në ditët e fundit një ulje prej 5 deri 10 për qind të rezervimeve për jashtë të turizmit, ndërsa nuk është vërejtur diçka e tillë për ardhjet e turistëve të huaj në vend.
Punëtorët turistik kërkojnë një bashkëpunim më të madh me institucionet e shtetit me qëllim që së bashku të tejkalohet kjo situatë.
“Kërkojmë nga shteti masa që së paku të minimizojmë dëmet e pritshme nga Koronavirusi, për shkak se që nga 24 shkurti nuk kemi fituar përgjigje institucionale nga Ministritë e Ekonomisë dhe Shëndetësisë si të veprojmë në punën tonë lidhur me situatën e krijuar me Koronavirusin qoftë në aspektin e rekomandime, ndalesave apo përkufizimeve “, thotë Biljana Pejoska drejtoreshë e kësaj ode. Në ndërkohë nga Esnafi i turizmit thonë se në Itali ka ndalesë për hyrje –dalje udhëtim vetëm në dhjetë qytetet, ndërsa në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara nuk mund të ndalohen udhëtimet individuale. Kohë më parë punëdhënësit janë shprehur se gjendja me virusin në Itali do të ketë ndikim në punën e kompanive vendore që prodhojnë këpucë që bashkëpunojnë me ato italiane. “Pasojat do të ketë por vetëm në rast se kjo situate zgjatet dhe nëse këto qytetet do të jenë të izoluara për një kohë më të gjatë. Industria e jonë e këpucëve duhet të dorëzojë lëndët e para për partnerët italianët. Pra nëse zgjat kjo situatë, do të ketë pasoja negative për kompanitë vendore”. thotë numri një i punëdhënësve të Maqedonisë, Angel Dimitrov. Ndryshe, punëtorët e turizmit vlerësojnë se rëndimi i situatës në Evropë do të ndikojë në uljen e numrit të udhëtarëve, andaj apelojnë për marrjen e masave për të garantuar një sezon turistik pa probleme. Ekonomistët thonë se në Itali dhe më gjerë, frika do të ndikojë në sigurinë dhe dëshirën për udhëtime. Mirëpo shtojnë se është vështirë të ofrohen parashikime për shkak se nuk dihet sa do të zgjasë koronavirusi, sa do të zgjasë procesi i mjekimit, a do të ulet turizmi vetëm në Azi ndërsa do të rriten apo ulen udhëtimet në Evropë. Nga ana tjetër, njerëzit duhet bindur se janë të sigurt për shëndetin e tyre. Dëmet sigurisht se do të ketë por mbetet që muajt në vijim të ofrojnë një përgjigje më të saktë për këtë çështje.
Ditën e mërkurë, nga Qeveria informuan se për momentin nuk ka kurrfarë kufizime, as për pranimin e udhëtarëve nga Italia dhe shtetet e tjera, as se nuk ekzistojnë mundësi që të ndalohen manifestime apo ngjarje të çfarëdolloj natyre. Njëherësh u apelua deri te të gjitha kompanitë dhe institucionet ku ka të punësuar të cilët në periudhën e mëparshme kanë udhëtuar në Itali, të lirohen nga obligimet e punës dhe të jenë në izolim shtëpiak deri në 14 ditë. Të martën, Qeveria solli vendim që të angazhojë të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, si dhe të gjitha universitetet të anulojnë të gjitha udhëtimet dhe ekskursionet e parapara në Itali, si dhe të organizojnë orë edukative për parandalimin e korona virusit, në bashkëpunim me vetëqeverisjen lokale dhe qendrat për shëndet publik. Mes konkluzioneve të Qeverisë për parandalim dhe menaxhim me rreziqet, qytetarëve në vend u rekomandohet të mos udhëtojnë në Itali dhe vendet e tjera ku janë regjistruar raste te korona virusit. (koha.mk)