Nëse OBSH-ja ka deklaruar gjendje të jashtëzakonshme globale dhe bën thirrje që të gjithë të sulmojmë virusin Korona, mendoj që në rastin tonë – ka kohë që janë ndezur sirenat e alarmit dhe është koha e një aksioni mbarë popullor që të mundim këtë virus edhe më të tmerrshëm që ka vite që na i merr shpirtin përditë. Korrupsioni vret!
Nga Dr. Arben TARAVARI
Në një lojë fjalësh, ironikisht Koronavirusi apo ndryshe 2019-nCoV, është një virus i tmerrshëm që ka alarmuar botën dhe ka marrë jetë më shumë se sa virusi SARS. Megjithëse i të njëjtës familje me SARS-in po rezulton të jetë më agresiv, me një shkallë mortaliteti të lartë që ka çuar gjithë botën në këmbë. Duke mos ndaluar gjatë tek ky kërcënim që i kanoset njerëzimit, dua të tregoj për një këndvështrim interesant që sigurisht frymëzohet nga gjendja aktuale e shtetit tonë. Teksa lajmet botërore kanë të ndezura sirena alarmi për gjendjen virusale, këtu tek ne panorama është e qetë sepse ende nuk jemi të goditur nga ky virus, por kjo është një ndjesi e rrejshme sepse ne kemi kohë që jemi goditur nga një virus më i tmerrshëm si është ai Korrupsionit!!! Korrupsioni, i cili me shpejtësi më të ngadaltë por me hapa të sigurt është përhapur aq shumë sa është e vështirë të mos gjesh një sektor të pakontaminuar.
Për ironi të fatit duket se dhe nga inicialet ngjajnë bashkë, sepse të dy viruset fillojnë me shkronjën K! Nëse gjykon pak më thellë gjen ngjashmëri të tjera më paradoksale, sepse virusi që shkakton infeksion respirator akut është quajtur Korona që në shqip përkthehet kurorë, pra Virusi i Kurorës…ndërkohë që Korrupsioni dihet që stimulohet bash nga Kupola, Qendra,Kurora…
Megjithatë unë mendoj bindshëm që virusi i Korrupsionit është shumë më i dëmshëm se sa virusi i Wuhan-it.
Diferenca radikale që kanë njëri me tjetrin është se koronavirusi po vret shpejt dhe menjëherë, është e dukshme rrezikshmëria e tij, kurse për fat të keq viktimat e korrupsionit nuk vdesin ditën me diell, shumica e tyre janë të dënuar të rrojnë nën trysninë e gjatë të tij. Tortura e të jetuarit në një shtet të koruptuar është e madhe dhe plagët që shkakton janë aq të mëdha sa sjellin deri në paralizimin dhe më pas humbjen e një shoqërie të tërë!Gjëja e parë që sulmon korrupsioni është liria e individit! Duke marrë peng lirinë e tyre, vazhdon me skamjen duke i lënë në varfëri ekstreme e pastaj goditja finale është mbi Dinjitetin i cili është shtylla bazë e personalitetit të njeriut. Njeriu i privuar nga liria dhe dinjiteti është një kafshë që jeton në robëri. Mbi të gjitha të këqijat është kur një situatë e tillë anti-njerëzore bëhet normale, skllavëria moderne kthehet në një sistem të jetuari me të cilin viktimat pajtohen duke vdekur nga pak çdo ditë. Kështu nëse nga rreziku i epidemisë së Korona Virusit është çuar në këmbë një botë e tërë, kompani gjigande si Google apo Starbucks kanë mbyllur çdo përfaqësi në Kinë për të shmangur rrezikun, në vendet ku mbizotëron korrupsioni nuk ka një qëndrim luftues ndaj kësaj të keqe të tmerrshme.
Nga ana tjetër sado ende misterioz për shkencën po kërkohet vaksinë që të mundet sëmundja, por të luftosh korrupsionin duket se është një sipërmarrje goxha e vështirë për shkak të natyrës komplekse të tij.
Korrupsioni nuk është vetëm ai klasiku, ku një njeri me post të caktuar shfrytëzon kompetencat e tij për të mira personale, korrupsioni është shumëdimensional dhe madje disa nga dimensionet e tij as nuk vihen rè fare nga viktima, ndryshe thënë populli. Kështu mitmarrja, ryshfeti, nepotizmi, presioni i më të fortit, tregu i favoreve financiare, monopolizimi i aseteve shtetërore dhe biznesi me to, favorizimi me kriter partiak, nacionalist, fetar apo shoqëror, të gjitha këto janë forma korrupsioni. Ka dhe shumë të tjera, ende më të padukshme. Kur të shesin vendin e punës si favor partiak dhe pastaj të mbajnë peng e të kërkojnë t’ju a kthesh nderin mbrapshtë, kur në sajë të mbiemrit që mban të fusin paradhë për të marrë një dokument, kur për shkak të përkatësisë partiake të prindërve të fëmijës ky i fundit merr provime apo nota të pamerituara, merr diploma të pamerituara, futet në punë të pamerituara, merr rrogë të pamerituar dhe vazhdon traditën e korrupsionit, sepse është e vetmja mënyrë suksesi që njeh!
A ka korrupsion në Maqedoni?! Sipas Transparency International jo vetëm që ka, por jemi në listën e shteteve më të korruptuara në botë. Madje ka ardhur pika kulmore e korupsionit pasi ikja nga vendi e popullsisë është e përmasave të ndonjë eksodi lufte ose fatkeqësie natyrore. Pra nëse OBSH-ja ka deklaruar gjendje të jashtëzakonshme globale dhe bën thirrje që të gjithë të sulmojmë virusin Korona, mendoj që në rastin tonë – ka kohë që janë ndezur sirenat e alarmit dhe është koha e një aksioni mbarë popullor që të mundim këtë virus edhe më të tmerrshëm që ka vite që na i merr shpirtin përditë. Korrupsioni vret! Të shpëtojmë vendin, veten e sidomos Fëmijët!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)