Rikthimi i rasteve të shpeshta me simptoma të infektuarish nga virusi korona, ka zgjuar një debat të gjerë në rrjetet sociale dhe në komunikimin publik përgjithësisht. Emërues i përbashkët i këtij debati është se sa sjellja jonë e përditshme dhe shprehitë e traditës po ndikojnë në rikthimin e pandemisë. Shkenca e mjekësisë në këtë rast është shumë rigoroze dhe ndalon gati çdo shprehi që cenon shëndetin e njeriut. Sa qytetarët tanë po e ndjekin shkencën dhe sa ritmin e shprehive tradicionale?
Zenel MIFTARI
Shkup, 3 qershor – Tradita është një besim, parim dhe mënyrë jetese e një populli të caktuar. Ajo trashëgohet brez pas brezi dhe kultivohet nga popujt për ta ruajtur atë dhe për të treguar lashtësinë e tyre. Shumë kombe janë fanatik në mbrojtjen e traditave dhe zakoneve të të parëve të tyre. Ndër traditat e shqiptarëve, që i përket shoqërimit dhe familjarizimit, janë vizitat për ngushëllime, fejesat e dasmat me miq dhe të afërm, përshëndetjet me dorë e përqafim dhe kështu me radhë. Por sa po mundemi të përshtatemi dhe mirë mbahemi në rrethanat e reja që ka krijuar pandemia me virusin korona. Me qëllim që ta mbrojmë vetën dhe më të dashurit tanë të cilët na rrethojnë çdo ditë. Sipas autoriteteve, pikërisht tradita familjare, si vizitat për festa, pritjet për ngushëllime, dasmat e fejesat, janë ndër shkaktarët kryesor se përse kemi një përhapje të re kaq të shpejt të virusit korona.
Profesoresha universitare, Besa Kadriu, për gazetën KOHA, është shprehur se koha që po kalojmë me virusin korona, përbenë një situatë vërtetë shumë delikate dhe sipas saj, kjo kërkon vërtetë një disiplinë dhe kujdes të shtuar për shëndetin tonë, me qëllim që t’i tejkalojmë këto vështirësi në këtë kohë. “Nga ana tjetër po ashtu dëshmojmë, që nuk jemi në gjendje t’i përmbahemi distancave dhe rregullave të reja për të shmangur rreziqet shëndetësore eventuale. Rrethanat e këtilla për këtë periudhë kërkojnë kujdes të madh. Kjo gjë nuk do të thotë që ne duhet ti shmangim traditat tona të përshëndetjes”, ka thënë ajo. Ndërkohë ka shtuar se edhe pasi të kaloj pandemia e virusit korona, nuk do të jetë çdo gjë si më parë, në kuptimin e sjelljes në publik. Sipas saj, kjo nuk do të thotë se ne duhet të bëhemi vazal të një mentaliteti të imponuar, sepse ajo çka është pjesë e kulturës autoktone të një populli nuk mund aq lehtë të sakrifikohet dhe të bëhemi se kemi një rit tjetër që na identifikon.
“Nga aspekti shpirtëror ne jemi popull i afërt me njeri-tjetrin dhe një përqafim miqësor apo përshëndetje tjetër nga ajo para pandemisë, nuk mund ta ndryshojë këtë kulturë mirësjelljeje. Dua të them po ashtu që përkrahi idenë për të krijuar një rregull, në publik dhe në rrugë, që të mos bëhet kaos dhe të respektojmë rregullat, sepse kjo po ashtu flet për kulturën e një populli dhe një civilizimi të caktuar”, ka përfunduar ajo. Ndërkohë, Liridona Kuçi, gazetare nga Tetova, për gazetën KOHA, thotë se meqë jemi popull që nuk lemë anash traditat, mënyrën se si përshëndetemi edhe në kohë pandemie, pavarësisht apeleve të shumta për distancim social, ne nuk po lejmë anash edhe përshëndetjet tipike shqiptare, përqafimet dhe dhënien e dorës. Sipas saj, këto janë edhe ndër arsyeje të cilat po ndikojnë në përhapjen e virusit korona. “Kjo ka të bëjë edhe me dezinformatat që qarkullojnë në opinion për virusin korona dhe kanë bërë që një pjesë e madhe e qytetarëve mos ta besojnë ekzistimin e këtij virusi duke ju besuar konspiracioneve të ndryshme që po qarkullojnë në media sociale, mendon jo. Në fund, ka shtuar se qytetarët duhet ti mirëmbahen dhe ti ndërgojnë personat kompetentë për këtë gjë.
Kujtojmë se edhe përkundër masave të aplikuara dhe thirrja e autoriteteve që të ndalohen dasmat dhe grumbullimi i familjarëve me qëllim të mos përhapet virusi korona, në disa lagje të Shkupit janë evidentuar shkelje të këtyre masave. Në këto lagje, janë regjistruar ceremoni dasmash, varrime me pjesëmarrje masive të qytetarëve, vizita për muajin e ramazanit dhe bajramit te familjarëve dhe kështu me radhë, ku dyshohet se pikërisht këto shkelje janë arsyeje për përhapjen e menjëhershme për herë të dytë të virusit korona. (koha.mk)