Masat e mundshme për t’u marrë me ekonominë gri klasifikohen në dy grupe: represive dhe stimuluese. Në praktikën e deritanishme, në Maqedoni dominojnë masat represive, të cilat përfshijnë kontrolle dhe rritje të gjobave për kompanitë dhe njerëzit që punojnë në ekonominë gri
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 22 tetor – Ekonomia gri ka qenë një problem aktual dhe ende i ndezur për ekonominë dhe shtetin për vite me radhë. Sipas vlerësimeve të sondazheve të institucioneve të caktuara në vend, vëllimi i ekonomisë gri para pandemisë ka lëvizur nga 20 në 40 për qind, por pyetja është nëse gjatë kësaj periudhe, gjatë krizës, përqindja është rritur? Pyetja u imponua në publik sepse një numër i caktuar i punëtorëve mbetën pa punë, disa prej tyre morën rroga më të ulëta mujore dhe u detyruan të punonin ilegalisht. Përveç kësaj, një numër i punëtorëve pranuan të punojnë të padeklaruar, pa ju paguar sigurimi shëndetësor dhe pensional, vetëm për të shkuar në punë.
Sipas vlerësimeve dhe hulumtimeve të ndryshme, ekonomia gri përbën midis 15 dhe 20 për qind të PBV-së në ekonomitë e zhvilluara dhe midis 30 dhe 35 për qind të Bruto Prodhimit Vendor në ekonomitë në zhvillim.
Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë thonë se te ne, sondazhet direkte dhe indirekte të ekonomisë gri tregojnë pjesëmarrjen e e saj midis 20 dhe 40 për qind të BPV-së. Për sa i përket punësimit, të dhënat e ESHS tregojnë një shkallë jo formale të punësimit prej 18 për qind. Ata janë të punësuarit që nuk janë të paraqitur. “Kriza e Kovid-19 ka rritur më tej rreziqet e rritjes së ekonomisë gri dhe pasojat e krizës mbi ndërmarrjet dhe individët që janë në ekonominë gri. Gjegjësisht, në Maqedoni, si dhe në vendet e tjera të rajonit në Ballkanin Perëndimor, pjesëmarrja e ndërmarrjeve, të vetëpunësuarve dhe njerëzve që punojnë dhe atyre që nuk regjistrohen është më e lartë se në vendet e BE-së. Në kohë krize, është shumë më vështirë për këta njerëz të përcaktohen masat për ndihmë shtetërore, gjegjësisht masat konvencionale për ndihmë shtetërore , nuk mund t’i përfshijnë këta persona dhe ndërmarrje”, konsiderojnë nga OEM.
Nga aty shtojnë se në drejtim të mbijetesës së kompanive dhe uljes së kostove, ekziston rreziku i pagesës së rrogave të rritura në dorë dhe pa marrëveshje formale. “Masat e mundshme për t’u marrë me ekonominë gri klasifikohen në dy grupe: represive dhe stimuluese. Në praktikën e deritanishme, në Maqedoni dominojnë masat represive, të cilat përfshijnë kontrolle dhe rritje të gjobave për kompanitë dhe njerëzit që punojnë në ekonominë gri. Megjithatë, përvojat e vendeve më të avancuara tregojnë se për të parandaluar me sukses këtë fenomen, nevojitet një paketë gjithëpërfshirëse e reformave për të siguruar një ekuilibër më të mirë midis masave represive dhe stimuluese”, theksojnë nga OEM.
Nga Oda ekonomike shtojnë se kjo është veçanërisht e nevojshme në kushtet e Kovid -19, kur mbështetja vetëm në masat represive do të rezultojë në shtimin e rritjes së numrit të kompanive të falimentuara dhe personave të papunë.
“Masat mund të lëvizin nga reformat rregullatore dhe institucionale deri te politikat tatimore dhe administrata, të tilla si ulja e ngarkesave rregullatore dhe administrative, thjeshtimi drastik i procedurave, zvogëlimi i numrit dhe kompleksitetit të rregulloreve. Është gjithashtu e nevojshme të kontrollohet konkurrenca e padrejtë e tregtisë elektronike në lidhje me mikrondërmarrjet dhe ndërmarrjet e vogla”, shprehen nga Oda ekonomike.
Nga aty shtojnë se është e nevojshme edhe të thjeshtohen procedurat për pagimin e taksave, regjistrimi i punëtorëve veçmas për ndërmarrjet e vogla dhe mikrondërmarrjet, koordinim më i madh i partnerëve socialë: Qeveria, sektori i biznesit dhe sindikatat, në mënyrë që të promovohen normat dhe vlerat shoqërore në mbështetje të luftës kundër ekonomisë gri. Analisti ekonomik Zdravko Savevski hap edhe një cep tjetër të fenomenit të “ekonomisë gri”.
“Gjatë kohës së pandemisë, Inspektorati i tregut nuk ka autoritetin aty për aty të mbyllë dyqanet që nuk respektojnë protokollet rreth pandemisë. Gjithashtu, nga i gjithë mbipunësimi në pjesët e administratës publike mungon kuadër në inspektorate që ata të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre në mënyrë efektive. Për shembull, në Inspektoratin e punës ka më pak të punësuar për vite me radhë dhe nga ajo që është paraparë me sistematizimin e vendeve të punës. Por për sa kohë që ligji zbatohet vetëm për një numër selektiv të subjekteve të vogla ekonomike, dhe ato të mëdhatë janë përjashtuar, ekziston një ndjenjë plotësisht e justifikuar e padrejtësisë, madje dhe kur bëhet fjalë për një shkelje të dukshme të ligjit”, theksoi Savevski. (koha.mk)