Bruksel, 2 korrik – Komisioni Evropian (KE) dje i dorëzoi kornizat negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në Këshillin e BE-së, përmbajtja e kornizave publikohet vetëm pasi do të miratohet nga ana e vendeve anëtare në Këshill, njofton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Kornizat negociuese janë qëndrimi i Bashkimit Evropian në negociatat e anëtarësimit. Komisioni Evropian parashtron projekt korniza deri te vendet anëtare, të cilat duhet t’i miratojnë pas modifikimeve eventuale.
“Sot shënohet edhe një hap tjetër i rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian,” qëndron në kumtesën me shkrim të eurokomisarit për Zgjerimin Oliver Varhei.
Kornizat ndahen në tre pjesë: parimet udhëheqëse të negociatave inkuadruese, thelbi i negociatave dhe procedurat negociuese, me qëllim që të sigurohet zbatim i plotë i legjislacionit evropian dhe parimeve të tij në korniza ligjore të vendeve kandidate.
Konkretisht, fokusi i këtyre kornizave është në sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe administratës publike, si dhe ekonominë, dhe parashikon një “shtytës politik më të fortë” në procesin dhe ritëm më dinamik të negociatave duke grupuar kapitujt e negociatave në grupe tematike.
“Me padurim i pres diskutimet midis shteteve anëtare për të mbajtur sa më parë konferencat e para ndërqeveritare me dy vendet. E ardhmja e tyre është qartë në Bashkimin Evropian dhe kam besim se ata do të vazhdojnë të kryejnë reformat në rrugën për në BE, siç kanë bërë deri më tani”, tha Varhei.
Sipas diplomatëve, konferenca e parë ndërqeveritare nuk pritet para fundit të këtij viti. Shtetet anëtare do të diskutojnë për zgjerimin në shtator, duke pasur parasysh se vera do të jetë tërësisht e përkushtuar në tentimin të gjendet kompromis për dalje nga kriza ekonomike e BE-së dhe ardhmëria e buxhetit të saj.
Në kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut, gjuha është maqedonase.
Ministri i Punëve të Jashtme në largim, Nikolla Dimitrov e përshëndeti dorëzimin e kornizave në ditën e parë të kryesimit gjerman me BE-në.
“Mendoj se ka një simbolikë të bukur që KE-ja e përfundoi detyrën e saj bazuar në vendimin e marsit, saktësisht më 1 korrik, ditën kur presidencën e Këshillit të BE-së e mori Berlini dhe unë jam i bindur se ashtu siç ishte për ne Presidenca historike kroate, kështu do të jetë edhe presidenca gjermane dhe së bashku me mbështetjen gjermane në muajt e ardhshëm do ta hapim konferencën e parë ndërqeveritare”, tha Dimitrov.