Metodologjia e re, e cila është shndërruar në kornizë bisedimesh me BE-në, do të ketë risi, por edhe më shumë detyra për qeveritë në Shkup dhe Tiranë. Opinioni pret më shumë transparencë nga pushtetet në gjithë këtë proces
Destan JONUZI
Shkup, 29 maj – Bisedime më të komplikuara, me një dozë pasigurie për shkak të qëndrimit të Bullgarisë, si edhe për shkak të rolit më të madh të çdo vendi anëtar të BE-së në bisedimet për anëtarësim, të cilat sipas Metodologjisë së re, mund më lehtë të kontestojnë pjesë të vet bisedimeve nga vet korniza e bisedimeve, për të cilën nga Qeveria për KOHA thonë se do të jetë gati deri në fund të muajit qershor.
Njohësit e rrethanave të Bashkimit Evropian presin që korniza e bisedimeve në vete të përmban principe mbi të cilat do të zhvillohen bisedimet. “Kushtet kryesore pritet të jenë të njëjta, por dallime megjithatë do të ketë. Kemi metodologji të re dhe strukturë të re të kapitujve. Përveç kapitullit 23 dhe 24 në “baraban” do të futet edhe kontrolli financiar, prokurimet publike, operacionet statistikore, të gjitha këto pesë apo gjashtë kapituj të cilat janë në fillim pres që të hapen në të njëjtën kohë, dhe se për të njëjtat do të duhet përkushtim dhe kujdes i njëjtët”, deklaroi për KOHA, Zorica Strezoska, koordinatore në organizatën “Euro-Think” dhe eksperte për çështje evropiane. Sipas saj, edhe funksionimi i institucioneve demokratike po ashtu do të jetë një nga elementet kryesore në bisedimet me BE-në. Ajo pret shumë risi nga bisedimet, por edhe kërkesa më eksplicite nga vendet e BE-së, të cilat kërkojnë përkushtim dhe qasje të mirëfilltë ndaj bisedimeve.
Një nga problemet e mundshme në kornizën e bisedimeve për Maqedoninë mund të jetë kapitulli 34 dhe 35 për marrëdhënie ndërkombëtare dhe çështje tjera, duke pasur parasysh pozicionin e Bullgarisë dhe kontestin e saj rreth identitetit dhe gjuhës maqedonase. “Nuk pres të kemi problem më Bullgarinë. Bullgaria është vend mik i Maqedonisë, ndërsa kemi të nënshkruar edhe marrëveshje për fqinjësi të mirë. Nuk besojë të na bllokojnë në rrugëtimin tonë drejt BE-së. Në periudhën në vijim është e nevojshme që të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet ekzistuese administrative me qëllim që të ndërtohet model efikas i cili do të jetë rezistues ndaj jostabilitetit politik dhe ndikimeve partiake, para se gjithash, gjatë dhe pas procesit zgjedhor”, thekson Strezoska.
Ndryshe, korniza e bisedimeve mes Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë, përmban parime mbi të cilat duhet të zhvillohen bisedimet mes dy palëve dhe pasi që të jetë gati, ajo duhet të miratohet në vendet anëtare të BE-së. Ndërkaq, nga 1 korriku i këtij viti fillon kryesimi i Gjermanisë me BE-në, e cila pritet që të ketë në fokus Ballkanin Perëndimor dhe zgjerimin e BE-së. Zëvendëskryeministri Bujar Osmani kohë më parë deklaroi se ambicia e Maqedonisë është që këtë vit të mbahet konferenca e parë ndër-qeveritare dhe të filloi skriningi bilateral, me çka, siç ka deklaruar, Maqedonia me kapacitet të plotë do tu përkushtohet bisedimeve me BE-në. Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë i është kumtuar vendimi për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në fund të muajit mars. Ndërsa në tetor të vitit 2019 mos caktimi i datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me BE-në, ishte arsyeja që liderët e partive më të mëdha politike në vend të merren vesh për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 12 prill të këtij viti, por të njëjtat u anuluan për shkak të krizës shëndetësore të shkaktuar nga Kovid-19. (koha.mk)