Skënderbeu e gatshme do ta pret sfidën e sotme në Beograd ku do të zhvillojë ndeshjen e kthimit me Partizanin në kuadër të Liga Evropës. Korçarët e kanë analizuar mirë kundërshtarin e tyre, duke kuptuar se çfarë mund të bëjnë më mirë në këtë takim mjaftë të rëndësishëm për ata por edhe për skuadrën serbe.
“Kjo do të jetë një ndeshje e rëndësishme për ne dhe deri diku e barabartë me kundërshtarin. Por nisur nga e shkuara mund të them se kemi disi avantazh duke pasur parasysh se skuadra jonë ka luajtur gjithmonë më mirë në transfertë”, u shpreh trajneri i Skënderbeut Ilir Daja. Ai shpreson se drejtuesit e klubit serb do ti presin ata në të njëjtën mënyrë siç i pritën ata në Elbasan. “Shpresoj që të na presin në të njëjtën mënyrë si i pritëm. Ne treguam se dimë të organizojmë ndeshje edhe të këtij niveli”, tha Ilir Daja.
Ndryshe, Beogradi ka shije të keqe për disa futbollist të Skënderbeut që janë edhe futbollist të Kombëtares së Shqipërisë, që kanë qenë pjesë e mbrëmjes së 14 tetorit të vitit 2014-të. Mes tyre është kapiteni Orges Shehi. “Ato episode i përkasin së shkuarës, unë nuk mendoj se do të arrijnë të përsëriten dhe nuk i trembem kësaj gjëje, por gjithsesi dua të theksoj se ne shkojmë atje për të luajtur futboll”, thotë Shehi. Sa i përket shanseve për fitore, Shehi thotë se ato janë të mëdha. “Kur filluan këto eliminatore ne vendosëm një objektiv dhe nuk e vendosëm kot, por bazuar në shanset tona në këtë grup. Kështu që besoj se do t’ia dalim”, deklaroi Shehi.
Në anën tjetër, trajneri i Partizanit të Beogradit, Miroslav Xhukiç, e vlerësoi si kundërshtar shumë të fortë Skënderbeun në prag të përballjes së kthimit në stadiumin e Beogradit. Ai shtoi se pret spektakël në fushë dhe tribuna, por jo reagime të tjera që nuk kanë lidhje me futbollin.
“Jemi të vetëdijshëm që luajmë ndaj Skënderbeut një nga dy ndeshjet më të rëndësishme në grup. Na pret një takim i vështirë, sepse Skënderbeu është i fortë dhe mjaft agresiv, gjithsesi ne duam vetëm fitoren. Nuk presim probleme në stadium. Na duhet spektakël futbollistik në një ndeshje të madhe. Duhet të flasim vetëm për futboll dhe jo për gjëra të tjera. Duhet të jemi miq dhe të afrohemi me njëri-tjetrin. Besoj dhe shpresoj të jetë një ndeshje korrekte dhe e bukur. I bëj apel publikut që të mendojë vetëm për futbollin. Nga ajo që ndodhi para tre vitesh e pësuan futbollistët dhe kombëtarja, që nuk pati mundësi për t’u kualifikuar. Do të mundohemi t’ua kthejmë mikpritjen shqiptarëve”, deklaroi Xhukiç.
Në konferencë përkrah trajnerit u shfaq edhe Zoran Toshiç, një nga elementët më të rëndësishëm të Partizanit të Beogradit, i cili premton fitoren për të shpresuar te kalimi i grupit. “Do të jetë një ndeshje e fortë, e bukur dhe shumë e rëndësishme. Nuk do ta kemi aspak të lehtë, ndaj duhet të jemi shumë të përqendruar për të marrë maksimumin e mundshëm. Në takime të tilla, një apo dy raste mund të vendosim ndeshjen, prandaj duhet t’i shfrytëzojmë mundësitë që do të na jepen”, u shpreh Toshiç.