Vjollca SADIKU
Dibër, 8 shkurt – Blegtorët e Komunave Dibër dhe Qendër Zhupë, prodhues të qumështit, definitivisht tejkalojnë problemin me plasmanin e qumështit, shkruan gazeta KOHA. Mbi 100 prodhues dibranë të qumështit përshëndetën në një takim investitorin e fabrikës së parë për prodhimin e prodhimeve të qumështit “Korabi milk”. Në këtë takim, në prani të kryetarit të Komunës Dibër, Ruzhdi Lata, investitori Salaudin Miftaroski, informoi blegtorët se vlera e investimit është afro 500 mijë euro dhe kjo fabrikë ka një teknologji moderne të standardeve evropiane dhe në të do të prodhohet, përveç qumështit të ambalazhuar edhe djathë, kaçkavall,kos dhe jogurt, kurse në fazën e dytë edhe prodhime të tjera. Sipas tij në “Korabi milk”, kapaciteti ditor do të jetë 10 ton qumësht në një ndërrim. Çmimi për një litër qumësht lope do të jetë 20 denarë dhe për prodhuesit më të mirë do të ketë edhe beneficione. Do të stimulohet prodhimtaria e qumështit edhe me masa të tjera, kurse qumështi i dhenve do të jetë më i lartë dhe do të grumbullohet me 24 denarë për litër. Çmimi që ofrohet është një çmim ndoshta më i larti në Maqedoni kur është në pyetje plasmani i qumështit.
“Ky investim vendor, ka një domethënie të madhe për blegtorët dibranë, por edhe të rajonit më të gjerë”, theksoi kryetari i Dibrës, Ruzhdi Lata. Ai shtoi se blegtorët dibranë tani faktikisht tejkalojnë të gjithë problemet që kishin me plasmanin si dhe me çmimet e ulëta të grumbullimit nga firma të tjera jashtë Dibrës. Është ky një investim serioz dhe teje i nevojshëm për Dibrën, tha Lata dhe theksoi se tani do të stimulohet edhe rritja e sasive të prodhimit të qumështit nga blegtorët dibranë. Komuna Dibër po ashtu garanton se shumë shpejt do të tejkalojë edhe problemin të sanimit të sistemit për vaditje të Fushës të Dibrës, që është një nevojë jetike edhe për vetë blegtorët. Investimin e përshëndeti edhe kryetari i Shoqatës së blegtorëve dibranë “Dashi”, Skënder Ame. Sipas tij, kjo qumështore ofron një çmim të volitshëm për blegtorët. Po sipas tij, deri tani prodhuesit e qumështit në Dibër, Zhupë, por edhe Rekë ishin të detyruar që qumështin e lopës ta shesin në qendrat e grumbullimit me çmime teje të ulëta që ishin nga 14 – 16 denarë për litër. Po ashtu, sipas tij, nga disa qumështore të cilët falimentuan, ka blegtorë të cilët mbetën pa marrë pagesat e edhe nga disa mijë euro.
Ashim Kërkuti, blegtor i njohur tha se investitori duhet të respektojë kontratat që do të lidhen me prodhuesit e qumështit dhe faktikisht investimi dhe fabrika “Korabi milk” janë një mundësi e madhe që të rritet prodhimtaria e qumështit në Dibër dhe rrethinë. Sipas tij, deri tani kompanitë që kanë grumbulluar qumështin dibran, i cili ka kualitet të lartë, nuk kanë qenë korrekt ndaj blegtorëve dhe shumë blegtorë nuk kanë marrë edhe sot pagesat nga qumështorja “Baj milk”.
Përndryshe, për shkak të problemeve të deritashme , mbi 180 blegtorë , prodhues të qumështit nga Dibra dhe rajoni i Zhupës dhe Rekës, deri tani ballafaqoheshin me problemin e plasmanit, por edhe të çmimeve të ulëta që paguanin grumbulluesit e kompanive dhe fabrikave nga Manastiri, Shkupi, Tetova etj. Prandaj, ata ishin të detyruar një sasi të qumështit ta shesin nëpër rrugët e qytetit dhe kishin shpesh probleme edhe me inspektorët e tregut. Në takim u shpreh besimi se investitori dibran dhe fabrika “Korabi milk” definitivisht kanë zgjidhur problemin me plasmanin e qumështit dibran. Tani pritet që të ketë edhe rritje të sasive të prodhimit, me që Dibra ka një eko ambient të pastër që faktikisht do të rrisë interesin e blegtorëve për rritjen e krerëve të lopëve si dhe të sasive të qumështit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.