Kompozitori dhe këngëtari i mirënjohur nga Prishtina, Korab Shaqiri, e ka mbrojtur me sukses Disertacionin e Doktoraturës para një kolegji profesorësh të Universitetit Shtetëror të Shkupit, duke fituar gradën shkencore “Doktor i kompozicionit”.
Shaqiri pati dy tema në këtë Disertacion: “I miri i motrës”, kantatë për mezosopran, kor dhe orkestër A3; si dhe “Ndikimi i muzikës tradicionale në opusin e kompozitorit bashkëkohor kosovar ,Valton Beqiri”.
Korab Shaqiri ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë (në klasën e profesorit Haig Zaharian, kompozitor i shquar shqiptar që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në krijimtarinë e muzikës artistike). Pas mbarimit të studimeve themelore menjëherë i ka vazhduar studimet pasuniversitare në klasën e profesorit Aleksandër Peçi.
Tani është mësimdhënës në Akademinë e Arteve në Prishtinë dhe vazhdon të jetë aktiv në skenën muzikore, si autor dhe kompozitor.
Ai, po ashtu, ka realizuar me shumë sukses disa veprave muzikore për film dhe teatër. Korab Shaqiri është pari kandidat nga Kosova që doktoron në fushën e kompozicionit.