Kopanica, vendi i tolerancës etnike dhe fetare (FOTO)

Në këtë fshat krahas shumicës së banorëve që janë shqiptarë, jetojnë edhe maqedonas. Ata pohojnë se kanë harmoni mes tyre dhe se problemet etnike ua kanë lënë politikanëve sepse ata kanë probleme të tjera të përditshme për të siguruar mbijetesë

Urim HASIPI

Tetovë, 8 janar Me rreth 200 shtëpi, dhe rreth 1500 banorë, fshati Kopanicë i Komunës së Jegunocit njëjtë si fshatrat dhe vendbanimet tjera po zbrazet dita ditës. Shumë të rinj braktisin vendlindjen dhe marrin rrugën e mërgimit për një jetë më të mirë. Në rrugicat e këtij fshati nuk është ajo gjallëria e dikurshme, ndërsa qetësin e prish aty këtu ndonjë banorë që ka vendosur të jetoj këtu. Banorët janë të shqetësuar për ikjen masive të rinisë, shkruan gazeta KOHA.

“Kanë ikur shumë jashtë shtetit, sidomos të rinjtë. Ka pasur edhe më herët që kanë shkuar jashtë, kurse kohëve të fundit shumë largohen. Nuk ka punë këtu, ata shkojnë jashtë për jetë më të mirë. Fshati tash ka mbet bosh, pa njerëz”, thotë një plak nga ky fshat. Infrastruktura në këtë fshat lë për të dëshiruar, rrugët janë të dëmtuara ndërsa banorët thonë se nuk kanë probleme me ujin dhe kanalizimin edhe pse potencojnë se të njëjtat i kanë bërë me vet-organizime dhe se shteti sikurse edhe për shumë vendbanime tjera shqiptare edhe për këtë fshat është treguar neglizhent. “Kanalizimin e kemi bërë vetë, shumë punë tjera kemi bërë vet, shteti nuk ka ndihmuar asnjëherë dhe krejt punët vet i kemi financuar. Edhe me ujin nuk kemi problem, rrugët pak janë të dëmtuara dhe shpresojmë se do t`i rregullojnë”, pohojnë banorë të këtij fshati. Në këtë fshat krahas shumicës së banorëve që janë shqiptarë, jetojnë edhe maqedonas. Ata pohojnë se kanë harmoni mes tyre dhe se problemet etnike ua kanë lënë politikanëve sepse ata kanë probleme të tjera të përditshme për të siguruar mbijetesë.

“Ne këtu jetojmë shumë mire, nuk kemi probleme ndëretnike dhe asnjëherë nuk kemi pasur, kemi livadhe të përbashkëta jetojmë dhe punojmë bashkë duke ndihmuar njëri tjetrin dhe çdo herë do të ndihmohemi kështu sepse nuk kemi kohë për tu marrë me probleme ndëretnike kemi punë dhe probleme të tjera. Jetojmë shumë mirë me shqiptarët, nuk kemi asnjë problem por as që kemi pasur ndonjëherë, jemi shumë të kënaqur dhe ndihmohemi me njëri tjetrin”, thotë një banorë maqedonas i këtij fshati. Edhe krahas pohimeve nga ana e banorëve se kushtet infrastrukturore janë të mira megjithatë fshatit Kopanicë të komunës së Jegunocit i mungon ambulanca, çerdhja për fëmijë dhe investimet tjera. Edhe disa renovime që janë bërë në shkollën e fshatit të njëjtat janë bërë me vetiniciativë. Ditëve të para të këtij viti, në këtë fshat është përuruar Xhamia e dytë.

Ndonëse është një fshat i vogël megjithatë banorët vendosën që të kenë dy xhami. Anëtari i këshillit iniciativë për ndërtimin e xhamisë së re Nusret Hamiti tha se ndërtimi i xhamisë është mundësuar me kontributin e shumë banorëve të këtij fshati por edhe vendbanimeve përreth. Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Sulejman efendi Rexhepi, gjatë inaugurimit të xhamisë së re preu shiritin dhe urojë banorët. “Gjithmonë duhet të bëhemi së bashku kur është në pyetje jeta fetare dhe ndërtimet e tempujve që do të jenë në shërbim të myslimanëve”, theksoi Rexhepi. Ndërkaq të kënaqur shprehen edhe banorët të cilët me mund dhe sakrificë siç thonë ndërtuan Xhaminë e dytë në këtë fshat që e quajnë Xhamia e Bardhë. (koha.mk)