Fisnik PASHOLLI
Shkup, 10 gusht – Fermerët në Maqedoni akoma i kanë të panjohura të gjitha përfitimet e organizimit të punës së tyre në kooperativa, ndërsa akoma nuk e kanë ndjesinë se një formë e tillë e punës me të vërtetë do të jenë në të mirën e tyre, shkruan gazeta KOHA. Bashkimi i punës të fermerëve shënon ngecje jo vetëm tek ne , por edhe në të gjitha shtetet e rajonit me përjashtim të Sllovenisë, përkundër përpjekjeve të shumta dhe masave të ndryshme të përkrahjes. Edhe pse një bashkim i tillë ekonomik sjell edhe harxhime më të ulëta të prodhimtarisë, çmime më konkurruese në treg, fitim më të madh, si dhe çmime më të ulëta për blerjen e lëndëve të para, megjithatë fermerët akoma janë skeptik për bashkimin vetëm të prodhimtarisë, por jo edhe të tokës. Aktualisht në Maqedoni punojnë 39 kooperativa, prej të cilave shumica janë të vogla dhe me një vëllim të ulët të përpunimit të tokës dhe prodhimtarisë bujqësore. Një pjesë e përfaqësuesve të bujqve thonë se problemet me shitjen e sigurt, mekanizimin e vjetër, sasitë e ulëta të prodhimit si dhe copëzimin i tokës, ku në mesatare një ekonomi bujqësore punon më pak se dy hektarë tokë, mund të tejkalohen vetëm përmes organizimit të bujqve në shoqata dhe kooperativa bujqësore.
Sipas kryetarit të Kooperativës bujqësore “AgroKultura” nga Orizarja e Likovës, Menduh Nuhiu, bujqit në Maqedoni, e sidomos bujqit shqiptarë, e kanë humbur besimin së pari tek njëri tjetri, por edhe te institucionet se me bashkimin e punës së tyre shumë më lehtë, mundet jo vetëm se të mbijetojnë, por edhe të sigurojnë një jetesë më shumë se solide nga bujqësia dhe blegtoria në të ardhmen. Fermerëve në teren ju mungon interesimi , janë skeptik dhe shprehen se një punë e tillë e bashkimit në kooperativa, vështirë se mund të realizohet si rrjedhoje e problemeve të ndryshme në të kaluarën si ato me plasmanin, fitimin e subvencioneve e kështu me radhë shton më tej Nuhiu.
“Bujqit presin nga politika e re bujqësore një prezencë sa më të madhe nga ana e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë direkt në teren, për të qenë më afër ndaj bujqve individuale, për të dëgjuar dhe zgjidhur hallet dhe problemet e tyre në arra dhe fusha, për të ndihmuar direkt organizimin e punës së tyre, plasmanin si dhe për t’u shpjeguar benefitet që do të kenë nga një organizim sa më i madh i punës së tyre në kooperativa si dhe çka mund të presin prej një mënyre të tillë të punës”, thekson për KOHA, Nuhiu. Në ndërkohë, edhe agronomët theksojnë se nëse dëshirojmë të kemi bujqësi bashkëkohore dhe të orientuar ndaj eksportit për shkak se Maqedonia si treg është tejet i vogël, nevojitet që bujqit të organizojnë punën e tyre në kooperativa, me qëllim që të arrihet një balancë më i madh midis investimit të punës dhe të të hollave dhe kthimit të tyre në emër të profitit. Se nevojitet një angazhim më i madh për të organizuar punën e bujqve në mënyrat moderne të funksionimit të tyre flasin edhe të dhënat për ngecjen prodhimtarisë blegtorale në Maqedoni.
Përkundër derdhjes së qindra e qindra miliona eurove subvencioneve, në periudhën e kaluar 12 vjeçare, megjithatë kemi stagnim dhe jo përparim të prodhimtarisë blegtorale si treguesin kryesor të zhvillimit të bujqësisë në çdo shtet në botë. Ulje të madhe kemi tek numri i dhenve dhe pulave, stagnon numri i lopëve, dhe prodhimtaria e mishit të gjedhit, dhenve dhe pulës. Rritje kemi vetëm tek prodhimtaria e qumështit dhe atë tek kompanitë bujqësore, dhe shumë pak tek fermerët individual. Gjithashtu pritet që puna përmes kooperativave në vitet e ardhshme të zbusë edhe problemin që për çdo vit e kanë bujqit në Maqedoni, të shitjes së sigurt të prodhimeve të tyre bujqësore, si dhe të zbusë koston e lartë të punës që shpesh nuk i mbulon as harxhimet, çmimet e ulëta të grumbullimit që diktohen nga tregtarët, mosrespektimin e kontratave për shitblerje, si dhe vonesat në pagesa të pemë-perimeve të grumbulluar.
Ndryshe, fermerët në botë bashkohen në kooperativa për të pasur më lehtë punën në aspektin ekonomik, ku së bashku në bazë të principeve të solidaritetit me njëri tjetrin vetë menaxhojnë biznesin, sjellin vendime afariste dhe krijojnë të mira materiale. Më vonë edhe ndajnë vlerën e shtuar apo fitimin në bazë të asaj se kush sa ka marrë pjesë në krijimin e pasurisë. Njëherazi një pjesë e fitimit investohet në pasurinë e përbashkët duke siguruar zhvillim dhe punë afatgjate stabile të kooperativës.
Në botë njerëzit që ju nevojiten një vend pune, prodhuesit e vegjël, bujqit , blegtorët por edhe peshkatarët , njerëzit që kanë nevojë për kredi apo të zgjedhin çështjen e banimit, ju bashkëngjiten operativave. Në gjithë botën është rritur në mbi një miliardë numri i atyre që punojnë nëpër kooperativa të ndryshme, që tregon edhe rëndësinë dhe rolin e tyre në perëndim.
Në shtetet e Bashkimit Evropian numërohen mbi 263 mijë kooperativa me mbi 163 milionë anëtare, gjegjësisht çdo i treti banor i Evropës s bashkuar është një anëtar kooperative. Duke zhvilluar modelin e kooperativave edhe shtetet si Franca, Danimarka, Finlanda, Gjermania, Italia dhe Austria kanë rritur ekonominë e tyre në bazë të bashkimit të punës së fermerëve në këtë sistem efikas ekonomik. Bile në shoqëritë e zhvilluara si Suedia, Norvegjia, Gjermania apo Italia me një mirëqenie mjaft të lartë dhe dallim të vogël midis të varfërve dhe të pasurve, të dhënat flasin për një sistem mjaft të zhvilluar të kooperativave. Në këto shtete, pjesëmarrja e anëtarëve të kooperativave në numrin e përgjithshëm të popullsisë është 30 deri 40 për qind. Pra bëhet fjalë për gati gjysmën e popullatës që në mënyra të ndryshme përmes mënyrave të ndryshe bujqësore, ushqimore, industriale, konsumatorë apo bankare janë të inkuadruar në sektorin e kooperativave dhe shfrytëzojnë benefitet e tyre. Në Spanjë, kooperativat bujqësore janë aq të fuqishme, aq shumë prodhojnë dhe punësojnë dhe disponojnë me kapacitetet e veta prodhuese, kapital dhe treg saqë edhe eksportojnë në të gjithë botën. Në Spanjë punojnë mbi 2849 kooperativa që angazhojnë mbi 93 mijë njerëz dhe grumbullojnë mbi një milion e 160 mijë anëtarë .Për suksesin e tyre ekonomik flasin edhe të ardhurat vjetore më të mëdha se 16 miliardë euro. Bile një pjesë e madhe e këtyre kooperativave kanë edhe fermat e tyre,si dhe në pronësi kanë edhe pompa benzine, shërbimet e tyre veterinare dhe të agronomëve, ndërsa një e katërta shesin prodhimet nën brendet apo markat vetanake tregtare.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.