Fisnik PASHOLLI
Shkup, 27 mars – Bashkimi në kooperativa është e vetmja perspektivë e bujqësisë në Maqedoni, e cila aktualisht është me parcela të shpërndara dhe të imëta që nuk mund të prodhojnë sasi më të mëdha të prodhimeve cilësore dhe konkurruese të prodhimeve bujqësore që do të shiten në tregjet e rajonit dhe më gjerë, shkruan gazeta KOHA. Bujqësia në Maqedoni një dege ekonomike me potencial të madh për punësim, prurjeve devizore më të mëdha nga eksporti, në një pjesë të madhe është veprimtari ekonomike që zgjidh problemet sociale dhe ekzistenciale të një pjesë të konsiderueshme të popullatës.
NJË MBËSHTETJE MË E MADHE FINANCIARE
Ekspertët bujqësor thonë se Maqedonia mund të ketë bujqësi bashkëkohore dhe të orientuar në eksport vetëm në rast se bujqit bashkohen në kooperativa. Mirëpo, fermerët thonë se problemet të shumta i pamundësojnë ata që rrisin numrin e koperativave nga 39, sa punojnë aktualisht, në qindra por edhe mijëra kooperativa ngjashëm me përvojat e suksesshme evropiane. Fermerët thonë se nevojitet që Ligji për kooperativa bujqësore të harmonizohet me më shumë ligje si ai për tatime, për marrëdhëniet e punës e kështu me radhë.
“Fermerëve ju nevojitet një mbështetje më e madhe financiare për themelimin e kooperativave ngjashëm me shembujt në Serbi ku shteti gratis i financon ato me së paku 100 mijë euro e më shumë . Nevojitet të zgjidhet edhe çështja e tatimit personal që paguhet me vetëm 2 për qind nga bujqit individual, ndërsa anëtarët e kooperativës i humbin privilegjet e tilla. Duhet të zgjidhet edhe problem i sigurimit shëndetësor që kanë problem ta realizojnë anëtarët e kooperativës ngjashëm me të drejtat e bujqve individual”, thotë Afrim Sulejmani, anëtar i Këshillit Drejtues të Shoqatës së Kooperativave të Maqedonisë.
Sipas tij, nevojitet që shteti më shumë të angazhohet në teren që të bind dhe informojë bujqit për përfitimet e punës së bashkuar në kooperativat bujqësore. “Me siguri se në se eliminohen apo zbuten problemet që përcjellin bujqit gjatë organizimit të tyre në kooperativa edhe numri i tyre do të rritjes dukshëm. Perspektiva e vetme e fermerëve në Maqedoni për të rritur konkurrencën e tyre në treg është bashkimi i punës së tyre që do të mundësojë që më lirë të furnizohen me repromateriale apo që kooperativa të blejë një kombajn me kushte të volitshme që do tu shërbejë me qindra e qindra bujqve”, thekson më tej Sulejmani.
PROJEKTI EUROPIAN
Në ndërkohë nevojën e rritjes së numrit të kooperativave në shtet, e imponojnë edhe shifrat statistikore, që tregojnë se nga 180 mijë ekonomi bujqësore, bile 99 për qind kanë statusin e bujkut individual me 2 hektarë tokë dhe dy lopë që ju pamundëson të imponohen në treg me sasi dhe cilësi (psh. të qumështit) karshi tregtarëve dhe industrisë përpunuese.
Nga Ministria e Bujqësisë thonë se angazhohen maksimalisht në mbështetje të formimit të kooperativave për çka do të ndihmojë edhe një projekt evropian që do të zgjasë prej dhjetorit të vitit 2017 deri në shkurt të vitit 2021.
“Deri tani në regjistrin e kooperativave bujqësore janë regjistruar 39 kooperativa, prej të cilave 7 më të mëdha me 20 anëtarë, ndërsa 32 të tjerat janë me vëllim të vogël me 10 deri 19 anëtarë. Target grupi i projektit janë 30 kooperativat bujqësore ekzistues dhe 30 grupe të bujqve që dëshirojnë të formojnë kooperativa të reja dhe të marrim pjesë në trajnime për biznes planet dhe sesionet informative”, thotë ministri i bujqësisë, Ljupço Nikollovski.
Ndryshe , kooperativat bujqësore në Bashkimin Evropian sjellin përfitime të mëdha për shtetin dhe bujqit. Vlerësohet se suksesi i tyre në Itali buron nga fakti se në këtë shtet punojnë mbi 70 mijë kompani të organizuara në formë të kooperativave që krijojnë 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Italian, ose me fjalë të tjera krijojnë vlerë prej më shumë se 17 miliardë euro. Kooperativat në Itali krijojnë profit përmes organizimit bujqësor-ushqimor për çka kanë përkrahje edhe nga bankat, si dhe lehtësime tatimore për të ardhurat që i krijojnë përmes kooperativave. Për shembull.
TVSH për kooperativat sociale italiane është vetëm 5 për qind. Nga ana tjetër 80 për qind e prodhimtarisë bujqësore në Spanjë realizohet përmes kooperativave dhe ky shtet edhe me kushtetutë përmes trajtimit tatimor mbron kooperativat bujqësore për shkak se ato janë kusht i mbijetesës së njerëzve në viset rurale. (koha.mk)