“Fatkeqësisht edhe këtë vit nuk kemi asnjë aplikim për kooperativë bujqësore apo mini-kooperativë. Kishim një të interesuar gjatë vitit të kaluar, por deri ku ka arritur me procedurat, ende nuk ka asnjë informatë kthyese. Këtë vit nuk ka asnjë iniciativë në këtë drejtim. Të paktën duhen 25 bujq të bashkojnë bonitetet e tyre për të formuar kooperativë bujqësore, ku bëjnë pjesë pronat, makineria bujqësore, por ka një hezitim në këtë drejtim…”, thonë nga Njësia Rajonale e Ministrisë së Bujqësisë në Tetovë
Urim HASIPI
Tetovë, 6 shtator – Fondacioni maqedonas për zhvillim të ndërmarrësisë ka mbajtur një takim me bujqit në Tetovë ku të njëjtit janë njoftuar me beneficionet nëse ata themelojnë kooperativë bujqësore. Sipas organizatorëve, bujqit shumë pak kanë shfrytëzuar beneficionet dhe gjithnjë ata kanë tentuar që në mënyrë individuale të mbijetojnë dhe kanë dështuar, shkruan gazeta KOHA. Prandaj, sipas tyre, duhet që bujqit në numër më të madh të organizohen dhe të aplikojnë për krijimin e kooperativës bujqësore, për të cilën ata mund të marrin edhe makineri bujqësore të nevojshme.
“Është shumë me rëndësi që të njoftohen bujqit se më mirë është që kur të vegjlit bashkohen dhe krijojnë diçka të përbashkët, sepse kanë më shumë aftësi për të negociuar, që të jenë më konkurrues në treg dhe kjo kërkon më shumë besim mes vet bujqve që do të krijojnë kooperativën, pasi ata vetë do të përcaktojnë rregullat e funksionimit të së njëjtës”, tha Lazar Nedanovski, përfaqësues i Fondacionit maqedonas për zhvillim të ndërmarrësisë. Gjithsej do të financohen 20 kooperativa bujqësore, për të cilët janë ndarë një milion euro.
“Njerëzit janë të interesuar, por ekziston ndjenja e pabesisë, sepse akoma mendohet se gjatë tranzicionit, gjithçka mund të arrihet vetëm. Tashmë ka humbur ndjenja për bashkëpunim mes njerëzve, por ne nuk duhet të dorëzohemi. Prandaj në këtë drejtim duhet të punohet më shumë. Bujqit duhet të bashkohen në sferat ku kanë interesa të përbashkëta, si qendra grumbullimi të kulturave bujqësore, shitjet dhe furnizimet”, tha ai. Projekti me temë “Përkrahje për zhvillimin e kooperative bujqësore” financohet nga ana e Bashkimit Evropian. Ndërkohë që vazhdon trendi negativ i mosinteresimit të bujqve tetovar për të mos hapur kooperativë bujqësore. Gati se dy vite pasi shteti mundësoi formimin e kooperativave bujqësore, në Tetovë ende nuk ka të formuar një të tillë nga bujqit. Përderisa në Maqedoninë Lindore kooperativat bujqësore shtohen gjithnjë, në Pollog nuk ka asnjë të tillë.
“Fatkeqësisht edhe këtë vit nuk kemi asnjë aplikim për kooperativë bujqësore apo mini-kooperativë. Kishim një të interesuar gjatë vitit të kaluar, por deri ku ka arritur me procedurat, ende nuk ka asnjë informatë kthyese. Këtë vit nuk ka asnjë iniciativë në këtë drejtim. Të paktën duhen 25 bujq të bashkojnë bonitetet e tyre për të formuar kooperativë bujqësore, ku bëjnë pjesë pronat, makineria bujqësore, por ka një hezitim në këtë drejtim. Ka që vijnë dhe interesohen për këtë qëllim, por më pas heqin dorë. Ata mendojnë se me këtë do t’u konfiskohen pronat e tyre apo edhe lodhen nga procedurat dhe heqin dorë”, thonë nga Njësia Rajonale e Ministrisë së Bujqësisë në Tetovë. Edhe pse deri më tani asnjë kooperativë bujqësore nuk është formuar në Pollog edhe krahas apeleve të Ministrisë së Bujqësisë, në qytetet e Maqedonisë Lindore tani më funksionojnë dhjetëra kooperativat e këtilla. Kooperativat bujqësore përsëri janë kthyer në bujqësinë e Maqedonisë, pasi pjesa dërmuese e bujqve veprojnë individualisht dhe nuk mund të zhvillojnë më shumë veprimtarinë e tyre pa i bashkuar forcat në një kooperativë. (koha.mk)