Në Maqedoni, ku punojnë diku 40 kooperativa, vlerësohet se bashkimi në kooperativa është e vetmja perspektivë e bujqësisë, me parcela të shpërndara dhe të imëta që nuk mund të prodhojnë sasi më të mëdha të prodhimeve cilësore dhe konkurruese të prodhimeve bujqësore që do të shiten në tregjet e rajonit dhe më gjerë
Nga Fisnik PASHOLLI
Çdo i pesti qytetar i Bashkimit Evropian është anëtar i ndonjë kooperative bujqësore, dhe të llojit tjetër të veprimtarive ekonomike .Në Evropë funksionojnë mbi 176 mijë koperativa , që ofrojnë vende pune për 4.7 6 milion punëtorë dhe paraqesin një fuqi të rëndësishme punëtore të ekonomisë së Evropës së bashkuar, tregojnë të dhënat e Kooperativës së Evropës. Anëtarët, si fermerët ose përkthyesit e pavarur, qiramarrësit ose shoferët e taksive, shpesh mund të bëjnë më mirë duke punuar së bashku. Në vend që të shpërblejë investitorët e jashtëm, kooperativa ndan përfitimet e saja midis anëtarëve. Në Finlandë , bile 75 për qind e qytetarëve janë të angazhuar në kooperativa, në Itali zinxhirët e shitjes me pakicë të kooperativave mbajnë një të tretën e tregut .
Për shkak të fuqisë që kooperativat sot kanë në tregun evropian , duhet theksuar se ato dallohen prej ndërmarrjeve klasike , pikërisht sipas mënyrës së punës thotë drejtori i organizatës Kooperativat e Evropës, Klaus Niderlander.
“Dallimi thelbësor qëndron në faktin se kooperativat kanë anëtarë, dhe jo aksionarë, ku anëtarët janë të barabartë edhe në aspektin e të drejtave edhe të obligimeve. Vendimet miratohen sipas parimit një njeri një votë, ndërsa fitimi nga puna kontrollohet në mënyrë të përbashkët dhe ndahet sipas marrëveshjes së anëtarëve të kooperativës”, thotë ai. Bile hulumtimet e kësaj organizate kanë treguar se kjo mënyrë e organizimit të punës, ka qenë shumë më e qëndrueshme ndaj pasojave të krizës globale ekonomike.
Bile kooperativat mund të jenë edhe alternativë për zgjidhjen e problemeve të mëdha ekonomike të qytetarëve të rajonit. “Kooperativat çdo herë janë krijuar në kohën e krizës, kur njerëzit e kuptojnë se nuk ofrohet mjaftueshëm punë , nuk ka paga, nuk mund të sigurohet ekzistenca e familjes, atëherë fillon edhe bashkimi në kooperativa. Prandaj ato paraqesin model të mirë për përmirësimin e situatës ekonomike në komunitetet lokale. Jo çdo herë duhet të shkohet me logjikën se menjëherë na nevojitet prodhues i madh, më mirë është të vijë një kompani multinacionale dhe të hapë vende të reja të punës. Investitorë të tillë, natyrisht se çdo herë janë të rëndësishëm, por megjithatë duhet mbështetur edhe tek qytetarët e vendit, tu ndihmohet të bashkohen dhe të punojnë së bashku, të hapin vende të reja pune në nivel lokal dhe rajonal”, thotë Niderlander.
Një shembull i suksesshëm i kooperativave bujqësore nga hapësira ish jugosllave është edhe qumështorja “Zelene Doline”, prodhimet e së cilës mund të blihen edhe në dyqanet tona. Prodhuesi slloven , është në pronësi të 1200 ekonomive bujqësore që posedojnë ferma lopësh. Bile nga viti 2004 e këndej, përkundër frikës se si do të funksionojnë dhe mbijetojnë në konkurrencën e ashpër të tregut evropian, kanë zgjeruar prodhimtarinë nga 80 në 100 milionë litra qumësht, dhe kanë rritur shitjen në 60 milionë euro në vit. Bile kanë fituar edhe 6 milionë euro mjete të pakthyeshme evropiane që janë investuar në pajisje dhe zhvillim të prodhimit. Krahas , fondeve evropiane, rezultatet e mira në treg i detyrohen edhe unitetit të fermerëve dhe interesit të tyre të përbashkët të kenë më shumë fitim nga prodhimtaria e tyre. Për çdo muaj, kooperativa diskuton edhe problemet që më tej zgjidhen me anë të menaxhmentit.
Në Serbinë fqinje, në periudhën 2017-2018, janë formuar më shumë se 300 kooperativa të reja duke arsyetuar planet akademike për hapjen e 500 kooperativave në 500 fshatra në favor të ringjalljes së vendbanimeve rurale. Shteti ka ndihmuar hapjen e 73 kooperativave me 804 milionë dinarë , ndërsa mbi dy të tretat e kooperativave nuk ka qenë të interesuara për subvencionet shtetërore. Për ringjalljen e kooperativave të vjetra parashikohen 150 mijë euro mjete të pakthyeshme, për kooperativat e reja ndahen nga 60 mijë euro, ndërsa për kooperativat e ndërlikuara që nënkuptojnë magazinimin , përpunimin industrial, eksportin dhe aktivitetet e tjera për shitje , ndahen nga 500 mijë euro. Gjithsej për projektin trevjeçar të përtëritjes së kooperativave do të ndahen 25 milionë euro.
Në Maqedoni, ku punojnë diku 40 kooperativa, vlerësohet se bashkimi në kooperativa është e vetmja perspektivë e bujqësisë, me parcela të shpërndara dhe të imëta që nuk mund të prodhojnë sasi më të mëdha të prodhimeve cilësore dhe konkurruese të prodhimeve bujqësore që do të shiten në tregjet e rajonit dhe më gjerë. Edhe pse një bashkim i tillë ekonomik sjell edhe harxhime më të ulëta të prodhimtarisë, çmime më konkurruese në treg ,plasman të garantuar , fitim më të madh, si dhe çmime më të ulëta për blerjen e lëndëve të para, megjithatë fermerët tanë akoma janë skeptik për bashkimin ë prodhimtarisë bujqësore. Një metodë e re punës nevojitet edhe për arritjen e një drejtpeshimi midis investimit të punës në të hollave dhe kthimit të tyre në emër të profitit, por edhe si përgatitje për konkurrencën e madhe në tregun evropian kur për pesë vjet sipas optimistëve, dhe për dhjetë vjet sipas pesimistëve do të anëtarësohemi në BE. (koha.mk)